E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Cisterna e përmbysur pranë Ibizës do të rimorkiohet drejt Kartagjenës, rezervuarët e naftës janë të paprekur

Cisterna e përmbysur pranë Ibizës do të rimorkiohet drejt Kartagjenës, rezervuarët e naftës janë të paprekur

Cisterna me deri në 7 mijë tonë naftë diezel, e cila u përmbys pranë Ibizës të enjten, do të rimorkiohet drejt portit spanjoll të Kartagjenës, njoftoi të premten Ministria e Transportit, siç raporton BBC. Anija pritet të mbërrijë në port të hënën.

Të 17 anëtarët e ekuipazhit të anijes Med Emre, e regjistruar në Maltë, u shpëtuan, por kryeinxhinieri i saj vdiq më vonë në spital, ndërsa gjashtë persona u trajtuan për lëndime të lehta. Autoritetet kishin frikë nga një derdhje e madhe nafte në Mesdheun perëndimor, por inspektimi tregoi se rezervuarët e karburantit të anijes janë të paprekur dhe hetimi për incidentin është në vazhdim.

Ministria tha se anija do të dërgohet në Kartagjenë «sepse është i vetmi port që plotëson kërkesat teknike për të kryer punimet e nxjerrjes së ngarkesës dhe të riparimit». Ministria nuk dha hollësi se si do të hiqet nafta diezel. Rimorkimi pritet të jetë një operacion i vështirë shpëtimi.

Kryeministri Pedro Sánchez i tha rrjetit radiofonik Cadena SER se shpresonte që cisterna të mbërrinte në port «në orët e ardhshme, në ditët e ardhshme» dhe se të dhënat tregojnë që derdhja nuk po ndodh. Kapitenia detare e portit të Valencias, Elena Delgado, tha se njolla e vogël rreth anijes «është zhdukur» dhe se situata është stabilizuar, ndërsa do të kryhen inspektime të mëtejshme.

Drejtori rajonal i emergjencave, Pablo Gárriz, tha se cisterna nuk është fundosur plotësisht, ndryshe nga raportimet e para, dhe mbetet pjesërisht e zhytur. Med Emre u përmbys 25 milje detare (46 km) nga bregu i Ibizës dhe 57 milje detare nga Valencia, ndërsa udhëtonte nga Algeciras, pranë Gjibraltarit, drejt Barcelonës.

Lini një koment