E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›“Frikë dhe stres, objektivi është Champions”, drejtori sportiv i Egnatias zbulon: Në janar bëjmë dalje, ka interes për këta tre lojtarë

“Frikë dhe stres, objektivi është Champions”, drejtori sportiv i Egnatias zbulon: Në janar bëjmë dalje, ka interes për këta tre lojtarë

Egnatia ka shkruar historinë në natën e të enjtes duke siguruar fitoren e parë në fazën në grup të Ligës së Konferencës. Dhe meritë për këtë ka edhe drejtori sportiv i rrogozhinasve, Klejdi Zenelaj, i cili është arkitekti i skuadrës që ka siguruar tre tituj kampion radhazi dhe tashmë po bën emër edhe në arenën ndërkombëtare.

Në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, Zenelaj ka treguar emocionet për arritjen historike në Europë, por edhe pritshmërinë që ka për ekipin në këtë turne në vijimin e tij.

Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, Zenelaj gjithshtu foli edhe për merkaton në hyrje dhe dalje të klubit, duke zbuluar emrat më të mundshëm për shitjen që në janar pasi për ta kanë shfaqur interes ekipe jashtë Shqipërisë.

Urime fillimisht për këtë fitore të rëndësishme. Me thuaj të vërtetën pate frike për një moment se do dënoheshit sërish nga fati, dukej sikur topi nuk dëshironte të futej në rrjetë…

Jo vetëm frikë, por edhe stres. Ishte fatkeqësi për ne nëse nuk merrnim 3 pikë ndaj një ekipi, që për të thënë të drejtën, gjithmonë ishte nën nivelin e ekipit tonë.

64% mbajtja topit, 9 gjuajtje në kuadrat, raste pafund, shtylla, etj. A ishte kjo sfidë maksimumi i Egnatias? A ju jep besim kjo sfidë për pjesën e mbetur të Conference League?

Unë besoj që ekipi nuk ka arritur në 100% e vet, pasi hyri me statusin e pretendentit dhe kjo shkaktoi stres dhe nxitonin në metrin e fundit. Kam besim te ekipi, shpresojmë që të bëjmë diçka më tepër dhe të jemi konkret.

Me zbulo ndonjë detaj, çfarë tha trajneri Dede në dhomat e zhveshjes pas pjesës së parë?

Nuk tha diçka specifike, kërkoi nga ekipi durim. Mos të kalojmë në ankth në situatat që po humbnim raste.

80 mijë euro premio do marrin çunat u shpreh presidenti Demrozi për këtë fitore, ishte një premtim në të nxehtë real? Se ndërkohë Kryeziu tha që premio është rritur në 100 mijë…

Për barazim marrin një pjesë, për fitore marrin 80. Kjo ka qenë që para ndeshjes së parë dhe do vazhdojë deri në ndeshjen e fundit.

Pesë pikë në 4 ndeshje në Conference League, jeni të kënaqur, keni ndonjë peng?

Jo nuk kam asnjë peng, çdo gjë po shkon në pritshmëritë tona. Ne kemi marrë 2 pikë në 3 ndeshjet e para, nëse do fitojmë në sfidën e radhës, çdo gjë mbetet brenda pritshmërive.

Kanë mbetur dhe dy sfida për të mbyllur fazën e ligës, më 10 dhjetor prisni Zalgiris në “Air Albania”, rivali më i lehtë në letër dhe e mbyllni me Bragën në transfertë. Me sa pikë jeni të kënaqur në këto dy sfida?

E rëndësishme është të fitojmë në shtëpi. Të punojmë fort. Zalgiris duket ekip i lehtë, por është mjaft i vështirë. Kujtojmë eliminimin e Dritës ndaj Zalgiris. Në Portugali nuk shkojmë për shëtitje.

Në bazë të llogaritjeve që besoj i keni bërë. Besoni se mund të arrini fazën play-off të 1/16?

Zalgiris do jetë finalja jonë e Conference League. Nëse i mundim, përllogaritjet janë që do kalojmë fazën e ligës.

Ecuria në këtë edicion të Conference League, shërben shumë për koeficientin e Egnatias në Europë, statusi si kampion për tre vite radhazi etj. A ka ardhur momenti, a është pjekur sa duhet Egnatia për të synuar më lart, fazën e grupeve në Europa League, etj?

U bënë shumë vite që luajmë në Europë dhe koeficienti rritet vit pas viti. Besoj që klubi po rritet bashkë me ekipin dhe nuk do besoj që do jetë e largët dita që do tentojmë diçka më shumë. Europa League është e arritshme. Objektivi i Presidentit është Champions.

Nga kjo aventurë Europiane, Egnatia siguron një portofol të rëndësishëm ekonomik, afro 4-4.5 milionë euro deri më tani, nuk e di nëse e kam të saktë këtë shifër. Sa do ta ndryshojë kjo shifër të ardhmen e Egnatias? Çfarë presim nga e ardhmja?

Në filozofinë e klubit, qëndrojmë në të njëjtat linja. Nuk mund të bëjmë çmendurira.

Rivalët tuaj në “Abissnet Superiore” shpresonin që pjesëmarrja juaj në Europë t’ju ulte ritmin në kampionat, por diçka e tillë nuk ndodhi. Kush mund të ndalë Egnatian? Kush ju rrezikon më shumë fronin?

Edhe ne e kishim këtë frikë, por ka ndodhur e kundërta. Na ka ndihmuar të jemi në intensitet, na ka ndihmuar pafund. Deri në këtë moment, rivalët e Egnatias do jenë Elbasani dhe Teuta.

Me një portofol të mbushur, ke jo pak punë në janar, nuk besoj se do vijoni të luani me Aleksin si qendërmbrojtës?

Nuk është hera e parë që e ka bërë këtë. Roli i tij mbetet 6-ta. Në merkato nuk bëjmë ndërhyrje të tepërta. Pa përmendur edhe Sotën që do rikthehet pas dëmtimit. Nuk vuajmë për lojtarë.

Përveç se në mbrojtje, ku është e qartë që ndërhyrjet janë të domosdoshme, çfarë kërkesash specifike ka trajneri Dede? Ku do të ndërhyni në janar?

Pjesa e sulmit po hasim vështirësi. Arkat janë të stabilizuara, por do kemi lëvizje në dalje. Më pas, do kemi afrime. Nëse do kemi largime në reparte të tjera, të shohim.

Conference League është një vitrinë e rëndësishme edhe për lojtarët e Egnatias. Po largime do të ketë në janar, keni ndonjë ofertë konkrete?

Kemi interes të lartë për Albanesen, apo Adjesën. Edhe Kryeziu ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve.

Lini një koment