E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Zelensky kërkon falje ndaj Melonit, Ukraina nuk kishte informuar Italinë për sulmin ndaj anijeve ruse në Libi

Zelensky kërkon falje ndaj Melonit, Ukraina nuk kishte informuar Italinë për sulmin ndaj anijeve ruse në Libi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kontaktuar kryeministren italiane Giorgia Meloni, pas polemikave të shkaktuara nga deklaratat e tij në një intervistë për BBC-në lidhur me operacionin kundër anijeve ruse në portin libian të Bengazit.

Në intervistën e dhënë të premten, më 27 nëntor, Zelensky e cilësoi operacionin si një goditje ndaj një objektivi plotësisht legjitim, duke deklaruar se forcat ukrainase nuk ndërmarrin sulme pa u koordinuar paraprakisht me partnerët e tyre.

Megjithatë, kjo deklaratë u vu në pikëpyetje pasi u bë e ditur se Italia dhe aleatët e tjerë evropianë nuk ishin informuar paraprakisht për operacionin. Ministrat italianë të Mbrojtjes dhe të Jashtëm reaguan publikisht, duke mohuar se kishin pasur dijeni për sulmin.

Pas këtyre zhvillimeve, Zelensky telefonoi kryeministren italiane Giorgia Meloni për të sqaruar situatën, ndërsa sipas raportimeve, i kërkoi asaj falje për deklaratat e mëparshme.

Ishte vetë Meloni ajo që konfirmoi telefonatën, gjatë një fjale në asamblenë kombëtare të forcës politike të qendrës Noi Moderati. Ajo deklaroi se presidenti ukrainas kishte sqaruar disa nga komentet e tij të mëparshme, të cilat kishin ngritur dyshime, duke shtuar se ky sqarim ishte i nevojshëm.

Telefonata vjen në një moment tensionesh diplomatike, pas mungesës së koordinimit paraprak të operacionit me Italinë dhe partnerët e tjerë evropianë.

Lini një koment