E shtunë, 28 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Demo thirrje qytetarëve pas protestës: Të bashkohemi kundër dhunës, Shqipëria është e të gjithëve

Demo thirrje qytetarëve pas protestës: Të bashkohemi kundër dhunës, Shqipëria është e të gjithëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar në lidhje me protestën e 28 Nëntorit, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen kundër dhunës, pavarësisht bindjeve politike apo qëndrimit ndaj qeverisë.

Në një mesazh në rrjetet sociale, ai theksoi se siguria e qytetarëve, institucionet dhe e ardhmja e Shqipërisë janë interesa të përbashkëta që duhet t’i bashkojnë shqiptarët.

“Në 114-vjetorin e Pavarësisë, flamuri kombëtar na kujton se, përtej çdo dallimi politik, kemi një atdhe dhe një shtet të përbashkët. Dhuna nuk është as alternativë politike dhe as mjet demokratik. Tirana është e të gjithëve. Institucionet janë të të gjithëve. Shqipëria është e të gjithëve”, deklaroi Demo.

Sipas tij punonjësit e Policisë u sulmuan me gurë, shkopinj, molotovë dhe mjete piroteknike. Demo tha se sulmet kishin prekur edhe institucione shtetërore e biznese private, ndërsa ishte dëmtuar prona publike. Ministri përmendi edhe Teatrin e Kukullave si një nga objektet që nuk i kishte shpëtuar dhunës.

Demo rikonfirmoi se Policia e Shtetit do të garantojë të drejtën për protestë paqësore dhe se reagimi i saj ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional. Ai theksoi se përgjegjësia për shkeljen e ligjit vlen njësoj për të gjithë.

“Kushdo që ka ushtruar dhunë dhe ka shkelur ligjin do të përballet me të. Kjo vlen për çdo qytetar dhe për çdo punonjës policie”, deklaroi ministri.

Në përmbyllje, Demo nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv kombëtar dhe një aspiratë e brezave të shqiptarëve, që nuk i përket vetëm një partie apo një qeverie.

“Le të debatojmë për mënyrën se si duam ta zhvillojmë vendin. Le të kemi bindje dhe vizione të ndryshme, por të respektojmë njëri-tjetrin dhe të refuzojmë dhunën e shkatërrimin”, ishte thirrja e ministrit.

Lini një koment