E shtunë, 28 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kategoria e Dyte›Dule nuk fshihet: Apolonia rikthehet te niveli i traditës

Dule nuk fshihet: Apolonia rikthehet te niveli i traditës

Apolonia ka gjetur stabilitetin e rezultateve në javët e fundit dhe fitorja minimale ndaj Albpetrolit ka konfirmuar momentin pozitiv të skuadrës fierake. Tri pikët kanë pasur vlerë të dyfishtë, si për renditjen, ashtu edhe për aspektin psikologjik, duke e afruar ekipin me zonën e pretendenteve për dy vendet e para.

Në tri javët e fundit, nën drejtimin e Santiliano Dules, Apolonia ka regjistruar dy fitore dhe një barazim, duke rikthyer optimizmin në ambientin sportiv fierak. Mbështetja e presidencës dhe e tifozëve është një tjetër shtysë për skuadrën, e cila këtë fundjavë do të luajë në transfertë ndaj Devollit. Për teknikun Dule, objektivi është i qartë, fitorja dhe vazhdimësia e rezultateve pozitive.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Apolonisë ka vlerësuar ecurinë e skuadrës, punën e përbashkët dhe potencialin e futbollistëve të rinj, ndërsa ka shprehur bindjen se fierakët mund të bëjnë një kampionat të suksesshëm.

TRAJNERI SANTILIANO DULE

“Nuk dua ta fsheh aspak kënaqësinë për ecurinë pozitive të Apolonisë në këto tri javë që kam marrë drejtimin e skuadrës. Megjithatë, kjo më ka bërë edhe më të ndërgjegjshëm se na duhet akoma më shumë punë për ta rikthyer Apoloninë në nivelin që meriton tradita e saj.

Suksesi i deritanishëm është produkt i punës së përbashkët të gjithë familjes sonë sportive. Ia dedikoj stafit tim ndihmës dhe, mbi të gjitha, futbollistëve të rinj e të talentuar që kemi në skuadër.

Ata më japin besim se kanë përpara një të ardhme të madhe, si rezultat edhe i politikave zhvillimore të klubit. Pikërisht sepse besoj te këta talente, mora përsipër drejtimin e Apolonisë. Jam i sigurt se do të bëjmë një kampionat mbresëlënës, ashtu siç e kemi nisur në këto tri javë. Tani kërkojmë vazhdimësi dhe duam të konfirmohemi në ndeshjen e radhës ndaj Devollit.

E kemi studiuar kundërshtarin dhe, pavarësisht respektit për futbollin që luan, me bindje profesionale dhe besim te skuadra ime, deklaroj se shkojmë në Bilisht për të fituar dhe për të vazhduar ndjekjen e kreut të tabelës”, përfundoi tekniku 35-vjeçar beratas.

Lini një koment