Flet ish-futbollisti Teutës dhe tani kapiteni Vorës: Ndeshje e rëndësishme, na duhen pikët
Vora sot do të jetë përpara një tjetër prove mjaft të vështirë, pasi do të luajë kundër Teutës së fortë dhe me pretendime të mëdha. Kjo do të jetë një përballje e vështirë për këtë skuadër të brishtë në arenën e futbollit shqiptar, pasi ky është vetëm sezoni i dytë i saj në këtë grup skuadrash që përbëjnë elitën.
Pas Dinamos, Egnatias dhe Tiranës, e pret një tjetër sfidë e fortë dhe e vështirë, ajo kundër Teutës, që pritet me shumë interes nga të dyja klubet përkatëse. Mirëpo, për kapitenin e Vorës, 29-vjeçarin elbasanas, Dajan Shehi që luan në rolin e qendërmbrojtësit dhe ka zhvilluar 11 ndeshje këtë sezon me Vorën, kjo është një përballje e veçantë kundër Teutës, pasi ai ka qenë pjesë e kësaj skuadre që te moshat U-19 dhe aty nisi edhe karriera e tij si profesionist me Teutën e Superiores, kur sapo kishte mbushur 19 vjeç.
E tani, pas 10 vitesh, ka zhvilluar një karrierë të gjatë me shumë ekipe të Superiores dhe Kategorisë së Parë, por edhe në arenën ballkanike, si në Kroaci dhe në Kosovë, derisa erdhi nga Gjilani, duke iu bashkuar projektit vorak. Sipas tij, skuadra e Vorës duhet t’i bëjë llogaritë në përballjen kundër Teutës me më shumë qetësi dhe pa presion, duke kërkuar të marrë maksimumin nga kjo sfidë. Ai për “Panorama Sport” shprehet:
“Është një përballje me shumë rëndësi për ne, e cila ose na çliron nga vështirësitë që po hasim në këtë fazë kampionati, ose na zhyt më thellë në një presion psikologjik për arritjen e objektivave tona, edhe pse jemi në fillimin e sezonit. Teuta di të shënojë gola dhe mbrojtja jonë, ku edhe unë jam pjesë e saj, do ta ketë të vështirë për t’i përballuar. Ata luajnë për dy rezultate, ndërsa ne vetëm për një, atë të fitores. Ne do të luftojmë deri në fund për të arritur zonën ‘Play Off’ dhe, nëse ne do ta arrijmë këtë synim, atëherë do të konsiderohet si një sezon pozitiv për skuadrën tonë”.
Vora e pret Teutën në një moment mjaft delikat për të, pasi statistikat flasin për një kapërcim të lehtë nga ana e durrsakëve në përballjet direkte me njëra-tjetrën. Janë regjistruar pesë ndeshje mes tyre dhe Teuta ka një fitore më shumë nga dy gjithsej, ndërsa Vora ka vetëm një fitore dhe dy barazime. Kështu që vorakët do të kërkojnë të përmirësojnë rezultatet e tyre në fushën e vet. Ndërsa Teuta vjen pas fitores me Laçin 1-0, vorakët vijnë pas një barazimi pa gola me Tiranën.
Por, nga statistikat mes tyre, durrsakët kanë regjistruar fitore 2-0 në fazën e parë, gjë që tregon se Teuta vjen me rezultate bindëse dhe mbrojtje të fortë. Prandaj edhe kapiteni vorak Shehi i trembet shumë ishskuadrës së tij të parë në elitë në këtë përballje, duke befasuar me deklaratën se Vora do ta ketë shumë të vështirë luftën për të arritur në gjashtëshen e parë, pasi janë shtuar shumë konkurrentët dhe çdo kundërshtar ka vështirësitë e veta. “Është e vërtetë se Vora do ta ketë shumë të vështirë realizimin e objektivave të saj për të kapur gjashtëshen e parë pas tri fazave.
Kjo sepse konkurrenca për të qenë aty është shumë e madhe dhe duhet të ballafaqohet me shumë ekipe konkurruese për të arritur aty, duke përfshirë edhe ato që kërkojnë titullin kampion apo një vend në Europë”. Në fund, Shehi, lidhur me takimin kundër Teutës, shpreh edhe pak entuziazëm. Duke njohur cilësitë e ekipit të tij, përbërjen dhe kapacitetet, ai beson te forca e grupit dhe se do të dalin me tri pikë nga ky takim. “Kam besim më shumë te grupi i lojtarëve, pasi njoh mirë cilësitë dhe kapacitetet e tyre për të marrë një rezultat pozitiv. Shpresoj që të dalim me tri pikë nga ky takim”, ka përfunduar kapiteni vorak, që e ka sezonin e tretë me ekipin e Vorës. Ai ka kontribuar dy herë në ngjitjen e dy shkallëve, nga Kategoria e Parë në Superiore dhe sezonin e kaluar në mbijetesën e kësaj skuadre.
ABDULLA DUSHKU