E shtunë, 28 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Vllaznia-Laçi, rivalitet i fortë dhe bilanc i barabartë. Osmani do ndryshimin

Vllaznia-Laçi, rivalitet i fortë dhe bilanc i barabartë. Osmani do ndryshimin

Laçi në krizë rezultatesh, do ndryshimin

Laçi udhëton drejt Shkodrës në një moment të vështirë, me synimin për të ndërprerë serinë negative në kampionat dhe për të rikthyer besimin në skuadër. Kurbinasit vijnë pas tri humbjeve radhazi dhe kanë arritur të fitojnë vetëm një nga tetë ndeshjet e fundit në Superiore. Një ecuri që tregon vështirësitë e skuadrës në këtë periudhë, ku mungesa e rezultateve pozitive është shoqëruar edhe me probleme në repartin ofensiv.

Laçi ka një mesatare prej vetëm 0.83 golash të shënuar për ndeshje, një tregues që evidenton vështirësitë për të gjetur rrugën e rrjetës. Përballë Vllaznisë, kurbinasit do të kenë një tjetër provë të vështirë, pasi statistikat e përballjeve direkte nuk janë në favorin e tyre. Shkodranët nuk kanë humbur në tetë nga nëntë ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Laçit, ndërsa kurbinasit kanë fituar vetëm një nga 11 përballjet e fundit mes tyre në kampionat.

Këto shifra e bëjnë edhe më të vështirë transfertën për skuadrën mike, e cila do të kërkojë të thyejë ecurinë negative. Për Laçin, sfida e Shkodrës është një mundësi për të reaguar dhe për të treguar se tri humbjet radhazi nuk kanë lënë pasoja në aspektin psikologjik. Kurbinasit kanë nevojë për pikë, por mbi të gjitha për një paraqitje që të rikthejë stabilitetin dhe besimin te grupi. Një rezultat pozitiv në këtë transfertë do të kishte vlerë të veçantë, jo vetëm për renditjen, por edhe për të ndërprerë një periudhë që po bëhet gjithnjë e më shqetësuese.

Vllaznia favorite – Vllaznia shihet si favorite në përballjen ndaj Laçit, që do të zhvillohet në Shkodër. Kuqeblutë kanë kuotën 2.00 për fitoren, ndërsa suksesi i kurbinasve vlerësohet me koeficientin 3.40. Barazimi kuotohet 3.10. Diferenca në koeficientë tregon besimin më të madh te fitorja e vendasve, por Laçi do të kërkojë të prishë parashikimet në këtë transfertë.

Përballja e së shtunës mes Vllaznisë dhe Laçit pritet të jetë një duel i luftuar, duke pasur parasysh rivalitetin dhe rezultatet e viteve të fundit. Në gjashtë ndeshjet e fundit mes dy skuadrave, bilanci është plotësisht i barabartë, me nga dy fitore për secilën dhe dy barazime. Laçi ka fituar dy prej këtyre takimeve, përfshirë edhe përballjen e fazës së parë të këtij kampionati, ku triumfoi me rezultatin 2-0.

Një tjetër sukses i kurbinasve ishte ai i sezonit 2024-25, me shifrat 3-1. Edhe Vllaznia ka arritur të marrë dy fitore, përkatësisht me rezultatet 3-0 dhe 2-1. Ndërkohë, dy sfidat e tjera janë mbyllur në barazim, 1-1 dhe 2-2, duke konfirmuar rivalitetin e fortë mes ekipeve.

Sa i përket ndeshjeve në “Loro Boriçi”, fitorja e fundit e Laçit në Shkodër daton në sezonin 2023-24. Në javën e 31-të, kurbinasit fituan 2-1, duke përmbysur avantazhin fillestar të Vllaznisë, të shënuar nga Hakaj. Për miqtë realizuan Tresa dhe Ujka.

Statistikat tregojnë se asnjëra skuadër nuk ka arritur të krijojë epërsi ndaj tjetrës. Për Vllazninë, kjo sfidë ka rëndësi të veçantë, pasi luan në shtëpi dhe do të kërkojë mbështetjen e tifozëve për të marrë tri pikët. Nga ana tjetër, Laçi synon të përsërisë suksesin e fazës së parë dhe të largohet sërish me rezultat pozitiv nga Shkodra.

Gjithçka premton një përballje interesante, ku historia e afërt dhe bilanci i barabartë tregojnë se çdo detaj mund të vendosë fatin e ndeshjes, me shkodranët dhe kurbinasit që do të matin forcat në orën 16:00 në “Loro Boriçi”.

Lini një koment