Çarja e tubacionit kryesor të ujit: GLWA u kërkon katër komuniteteve në Michigan të përdorin vetëm ujin “absolutisht të nevojshëm”
Autoriteti i Ujit të Liqeneve të Mëdha (GLWA) u ka bërë thirrje banorëve në katër komunitete të Michiganit juglindor që të kufizojnë përdorimin e ujit vetëm për nevoja bazë, pas çarjes së një tubacioni të madh në Auburn Hills që mund të lërë zonën pa furnizim për më shumë se një javë.
Great Lakes Water Authority u ka kërkuar banorëve të katër komuniteteve në Michigan juglindor që të përdorin vetëm sasinë e ujit që është “absolutisht e nevojshme për hidratim dhe higjienë bazë”, pas një çarje të rëndë në një tubacion kryesor uji në Auburn Hills.
Alarmi u dha të dielën, pasi një rrjedhje në një linjë transmetimi uji me diametër 42 inç, e zbuluar fillimisht të mërkurën, u përkeqësua dhe tubacioni shpërtheu përpara se ekipet teknike të mund ta riparonin.
Situata ka ngritur shqetësime serioze për furnizimin me ujë në Auburn Hills, Rochester Hills, Orion Township dhe Lake Orion, ku autoritetet paralajmërojnë se rezervat mund të shterojnë shumë përpara rikthimit të plotë të shërbimit.
“Ky nuk është një ushtrim. Është një situatë shumë serioze dhe kemi nevojë për vëmendjen tuaj,” deklaroi mbikëqyrësi i Orion Township, Chris Barnett, gjatë një konference për shtyp të dielën.
Sipas tij, riparimi i linjës mund të zgjasë më shumë se një javë, ndërsa depozita lokale e ujit ka kapacitet vetëm për rreth një ditë në kushte normale përdorimi.
Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të mos lajnë rroba, të mos ujisin oborret dhe të shmangin çdo përdorim jo të domosdoshëm të ujit, në mënyrë që rezervat ekzistuese të zgjasin sa më shumë.
Barnett tha se fillimisht kërkesa për mbyllje të përkohshme iu drejtua lavazheve të makinave, por më pas u zgjerua pothuajse për të gjitha bizneset që nuk ofrojnë shërbime jetike për komunitetin.
Ndërkohë, guvernatorja Gretchen Whitmer shpalli gjendje emergjence në Oakland County për shkak të krizës së furnizimit me ujë.
Ekipet e GLWA kanë izoluar tubacionin e dëmtuar dhe po punojnë për largimin e ujit të grumbulluar, në mënyrë që të nisë riparimi i plotë i linjës.
Për të ndihmuar banorët, autoriteti ka vendosur kamionë me ujë të pijshëm në disa pika emergjente. Çdo kamion mund të shpërndajë deri në 2,000 bidonë me nga një gallon ujë.
Pikat e shpërndarjes së ujit janë:
- Orion Township — Wildwood Amphitheater, 2700 Joslyn Court
- Auburn Hills — Auburn Hills Department of Public Works, 1500 Brown Road
- Lake Orion — Atwater Park, 426 Atwater Street
GLWA deklaroi se furnizimi emergjent me ujë do të vazhdojë për aq kohë sa do të zgjasë ndërprerja e shërbimit.