Trump përgënjeshtron ambasadorin e tij për Kinën: ‘Nuk e diskutuam shitjen e armëve’
Presidenti amerikan Donald Trump mohoi të hënën se ka diskutuar shitjen e armëve amerikane Kinës gjatë takimit të fundit me udhëheqësin kinez Xi Jinping, duke e përgënjeshtruar publikisht ambasadorin e tij në Pekin.
Ambasadori amerikan në Kinë, David Perdue, kishte deklaruar të dielën në Fox News se Trump e kishte pyetur Xin nëse do të donte të blinte armë amerikane, sipas CNN. Sipas Perdue-s, presidenti “vazhdon të thotë: hej, ne u shesim armë njerëzve të tjerë në botë” dhe në një moment “e pyeti presidentin Xi nëse do të donte të blinte disa”.
I pyetur të hënën për këtë deklaratë, Trump u duk i befasuar. “Për Kinën? E ke fjalën për Tajvanin? Nuk e kam dëgjuar këtë. Do të më duhet ta pyes atë”, u shpreh presidenti.
“Tani, ndoshta do të donin ta blinin, sepse ne prodhojmë pajisje më të mira se ato, kështu që ndoshta është ide e mirë. Por ne nuk e diskutuam këtë”, shtoi ai.
Trump sugjeroi se ambasadori mund të ketë gabuar: “Ndoshta po fliste për Tajvanin. Mendoj se po fliste për Tajvanin.”
Departamenti amerikan i Shtetit e kishte hedhur poshtë pretendimin e Perdue që të dielën, duke deklaruar se “ligji amerikan ndalon shitjen e armëve Kinës dhe nuk ka ofertë apo plan për t’i shitur armë Kinës”. Një zyrtar amerikan shtoi se “qeveria e SHBA-së nuk ka plane për t’i shitur armë Kinës”.