Republikanët propozojnë paketë 72 miliardë dollarëshe për DHS që përfshin 1 miliardë dollarë për krahun lindor të Shtëpisë së Bardhë
Senati kthehet në punë ndërsa republikanët përgatiten të avancojnë një paketë financimi për agjencitë e emigracionit nën Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS) pa mbështetjen e demokratëve. Shtimi i fondeve për masa sigurie që ndërlidhen me rikonstruksionin e krahut lindor të Shtëpisë së Bardhë — përfshirë një sallë të madhe pritjeje — ka krijuar kundërshti dhe mund të vërë në dyshim përpjekjen e partisë për të miratuar paketën me shumicë të thjeshtë.
Sipas CBS News, tekstet e para të propozuara nga republikanët në Komitetet e Senatit për Drejtësinë dhe Sigurinë Kombëtare parashikojnë një paketë prej 72 miliardë dollarësh për DHS deri në vitin fiskal 2029. Ajo përfshin mbi 38 miliardë dollarë për Immigration and Customs Enforcement (ICE), rreth 26 miliardë dollarë për Customs and Border Protection (CBP) dhe 1 miliard dollarë për Secret Service për “përshtatje dhe përmirësime sigurie,” të cilat përfshijnë elemente të projektit të modernizimit të krahut lindor të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë veçori sigurie mbi dhe nën tokë.
Projekti i krahut lindor u njoftua nga presidenti Trump në korrik të vitit të kaluar; struktura u prish në tetor dhe administrata vijoi me argumentin se ndërhyrjet janë të nevojshme për sigurinë dhe për pritjen e ngjarjeve të mëdha. Pas incidentit me armë në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, presidenti riforcoi nevojën për ndërtim. Ndërtimi ka hasur sfida ligjore: ishte pezulluar përkohësisht në fund të marsit, por Gjykata e Apelit të D.C.-së e lejoi të rifillojë muajin e kaluar; seanca e radhës është caktuar për 5 qershor.
Shtëpia e Bardhë përshëndeti përfshirjen e fondeve të sigurisë në paketë, ndërsa zyrtarët thanë se parashikimet ligjore ndalojnë përdorimin e këtyre mjeteve për elementë jo të lidhur me sigurinë. Presidenti ka deklaruar se ndërtimi i sallës do të financohet me donacione, por demokratët kanë shfrytëzuar rastin për të vënë në dukje mbështetjen republikane për projektin, që sipas sondazheve është i papopullarizuar. Udheheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, njoftoi se demokratët do të kundërshtojnë planin me të gjitha mjetet e mundshme.
Republikantët kontrollojnë 53 vende në Senat, dhe përmes procesit të pajtueshmërisë buxhetore synojnë të kalojnë masën me shumicë të thjeshtë; komitetet pritet t9i japin formë ligjit në ditët në vijim. Presidenti i ka vënë afat të dy dhomave për miratim më 1 qershor, dhe procesi parlamentar mund të vendosë nëse përfshirja e fondeve për krahun lindor do të komplikojë përpjekjet e tyre përpara zgjedhjeve të nëntorit, raporton CBS News.