Lulijeta Sejdarasi vlerësohet ndër 5 mësueset më të mira për nxënësit ESL” (English as a Second Language)
Mësuesja shqiptare Lulijeta Sejdarasi është përzgjedhur nga Shoqata e Edukatorëve Dygjuhësh të Michiganit (MABE) në mesin e pesë kandidatëve më të mirë në shtet për çmimin “MLL Teacher of the Year”, një vlerësim për mësuesit që punojnë me nxënësit shumëgjuhësh.
Lulijeta Sejdarasi, mësuese në Bridge Academy East, është përzgjedhur nga Michigan Association of Bilingual Educators (MABE) si një nga pesë kandidatet më të mira në të gjithë shtetin për çmimin prestigjioz “MLL Teacher of the Year”, që i dedikohet mësuesve të nxënësve shumëgjuhësh.
Në njoftimin e publikuar nga shkolla Bridge Academy East, thuhet se zonja Sejdarasi ka mbi 20 vite që i shërben komunitetit shkollor me pasion, përkushtim dhe profesionalizëm.
“Lulijeta ka dedikuar 20 vitet e fundit në shërbim të komunitetit të Bridge Academy me pasion, angazhim dhe ekselencë,” thuhet në mesazhin e shkollës, ku theksohet gjithashtu ndikimi i saj tek nxënësit dhe familjet.
Ky vlerësim konsiderohet një arritje e rëndësishme jo vetëm për karrierën e saj personale, por edhe për komunitetin shqiptar në Michigan, i cili prej dekadash ka dhënë kontribut në arsim, biznes dhe jetën qytetare amerikane.
Shoqata MABE është një organizatë profesionale që promovon arsimin dygjuhësh dhe mbështet mësuesit që punojnë me nxënës nga komunitete të ndryshme gjuhësore dhe kulturore. Përzgjedhja e Sejdarasit në mesin e pesë më të mirëve në Michigan tregon nivelin e lartë të punës dhe përkushtimit të saj në klasë.
Në reagimin e saj publik, Bridge Academy East e cilësoi atë si “numri 1 për komunitetin e shkollës”, duke falënderuar mësuesen shqiptare për “vite të panumërta pune të palodhur dhe ndikimi pozitiv”.
Ky sukses vjen edhe si një frymëzim për brezin e ri të shqiptarëve në diasporë, duke treguar se përkushtimi dhe puna në edukim vazhdojnë të vlerësohen në nivelet më të larta.