Icardi hidhet në sulm: Më keni thënë se jam i shëndoshë, i mbaruar dhe jashtë forme…
Falë fitores 4-2 ndaj Antalyaspor, Galatasaray është bërë kampion i Turqisë për herë të 26-të në historinë e tij. Pas triumfit, sulmuesi Mauro Icardi, donte të shprehte disa gjëra me bindje të plotë duke u dërguar një mesazh të qartë në rrjetet sociale atyre që nuk kanë kursyer kritikat e ashpra, si në këtë sezon të trazuar ashtu edhe në të kaluarën.
“Gjatë këtyre katër viteve, i kam dëgjuar të gjitha”, shkroi argjentinasi në Instagram, duke postuar një seri fotosh nga festa Gala ku mori pjesë me të dashurën e tij, China Suarez. “Se isha i shëndoshë, se isha i dobët. Se isha i mbaruar, i lënduar, jashtë forme, ose se nuk isha më i njëjti lojtar”.
“Ndoshta kishit të drejtë,” shtoi ai, “por numrat dhe statistikat flasin vetë. Ju ftoj t’i shikoni. Çdo ditë kishte një justifikim të ri, një titull të ri, një gënjeshtër të re për të shitur histori dhe për t’u përpjekur të më ulnin. Por koha gjithmonë e kthen gjithçka në vendin e vet”.
Dedikimi për tifozët – “Kur gjërat vështirësohen, kur presioni është i madh dhe duhet të marrësh vërtet përgjegjësi. Vetëm disa kanë aftësinë të ndryshojnë historinë. Faleminderit atyre që nuk pushuan kurrë së besuari tek unë, duke kënduar, duke më mbështetur dhe duke më mbrojtur edhe në momentet më të vështira. Dashuria që më keni dhënë gjatë këtyre katër viteve vlen më shumë se çdo gënjeshtër e shpikur”.