Ibrahimoviç mund të jetë “i forti” i Milanit të ri, tension i lartë mes tij dhe Allegri-t
Suedezi mund të marrë “frenat” e klubit në dorë dhe në rast se kjo ndodh, trajneri mund të largohet, pasi nuk pajtohet me lëvizjet e ish-sulmuesit.
“Duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të mirën e Milanit”. Nuk ishin fjalë të rastësishme ato që tha Allegri, i cili prej kohësh duhet të bëjë llogaritë me një Milan të përçarë brenda tij.
Prania e shumë rrymave në shtëpinë kuqezi nuk është më mister dhe në fund të sezonit mund të ketë një pastrim nga Gerry Cardinale. E ardhmja e Igli Tares dhe Giorgio Furlani është në dyshim.
Në këtë situatë mund të kthehet protagonist Zlatan Ibrahimoviç, njeri i besuar i Cardinale. Suedezi u la në hije pas zhgënjimit të sezonit të kaluar, por tani, sipas “Corriere della Sera”, mund të jetë njeriu “i fortë”, gati të marrë sërish në dorë “frenat” e klubit. Problemi është se ish-sulmuesi nuk ka raporte të mira me trajnerin Allegri.
Tensioni mes tyre lindi që pas ndeshjes Napoli-Milan. Shkak u bë një përplasje për zgjedhjen e portierit të tretë që do të përfshihej në listën e sezonit të ardhshëm. Një preteks sekondar, por që mjaftoi për të ndezur gjakrat.
Trajnerin e kanë bezdisur edhe disa telefonata të Ibrahimoviç për Leao dhe Fofana, duke u dhënë atyre këshilla taktike. Kjo ndërhyrje nuk është pritur mirë nga trajneri Allegri, që ka treguar dëshirë për të qëndruar te Milani, por me Ibrahimoviç duket se situata ndryshon.