BSH: Ekonomia shqiptare rezistente ndaj krizës së energjisë
Ekonomia shqiptare po hyn në gjysmën e dytë të vitit me ritme pozitive, pavarësisht pasigurive të krijuara nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të naftës.
Banka e Shqipërisë vlerëson se vendi po përballet me këtë situatë nga një pozicion më i fortë ekonomik dhe financiar krahasuar me goditjet e mëparshme.
Rritja ekonomike, eksportet e shërbimeve dhe ndërtimi kanë mbajtur peshën kryesore të zgjerimit të ekonomisë, ndërsa tregu i punës vijon të japë sinjale pozitive me rritje pagash dhe punësimi.
“Konkluzionet kryesore janë se trendet e zhvillimit mbeten pozitive, stabiliteti makroekonomik dhe shëndeti financiar janë të qëndrueshëm dhe të përmirësuar. Ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë ndaj goditjeve të pritura. Inflacioni mbetet i kontrolluar dhe ende poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë”, tha drejtori i departamentit të politikës monetare në BSH, Erald Themeli.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ndikimi i rritjes së çmimeve të karburanteve pritet të jetë i moderuar dhe kryesisht kalimtar. Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%.
“Inflacioni në muajin mars arriti në 2.6%, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë dhe karburanteve. Projeksionet tona sugjerojnë që inflacioni do të vijojë të mbetet pranë objektivit 3%, me një rritje më të kufizuar se ajo e krizës së Ukrainës. Nëse situata normalizohet, ndikimi do të jetë kalimtar, por në rast të zgjatjes së konfliktit efektet në ekonomi do të jenë më të ndjeshme”, shtoi Themeli.
Banka e Shqipërisë paralajmëron se zhvillimet gjeopolitike mbeten faktori kryesor i rrezikut për ekonominë globale dhe atë shqiptare, ndërsa do të vijojë monitorimin e tregjeve dhe inflacionit për çdo reagim të mëtejshëm të politikës monetare.
TV Klan
/tvklan.al