Pas debatit për shembjen e objektit të paligjshëm në Sarandë, IKMT sqaron procedurat e ndjekura
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka shpjeguar procedurat e ndjekura që çuan në shembjen e “CopaCabana”, beach-bar i famshëm në Sarandë.
Përmes një njoftimi, IKMT sqaron se shembja e objektit erdhi pasi “subjekti ‘CopaCabana Saranda’ kishte kërkuar me vullnetin e tij zgjidhjen e kontratës së qirasë për përdorimin e hapësirës së plazhit, si dhe heqjen dorë nga përdorimi i tij në vijim”.
Sipas IKMT-së, punimet që po kryheshin në atë objekt ishin pa leje, duke hedhur kështu poshtë edhe pretendimet e avokatit të subjektit ‘CopaCabana Saranda’. Ndërkohë IKMT ka sqaruar gjithashtu se strukturat e ndërtuara kishin tejkaluar lejen e vitit 2025.
Gjithashtu IKMT ka njoftuar se u gjet konstruksion metalik mbi një platformë betoni 340 m2 pa leje, mure mbrojtëse, sheshpushim dhe objekt betoni pa leje. IKMT ka bërë të ditur gjithashtu se veç shembjes së objektit ka gjobitur me 11,680,054 lekë subjektin ‘CopaCabana Saranda’.
Njoftimi i IKMT:
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) përmbylli sot në Sarandë ekzekutimin e vendimit për prishjen e një objekti të ndërtuar pa leje në breg të detit.
Bazuar edhe në referimin e bërë nga agjencitë ligjzbatuese për konstatimin e një ndërtimi të paligjshëm, inspektorët e IKMT-së qendër kryen një inspektim më datë 13.05.2026 në Sarandë, në subjektin “A.B.”, Lagjja nr. 1, Rruga Butrinti.
Në kushtet e flagrancës, në territorin në fjalë IKMT konstatoi: objekt 1-katësh me konstruksion metalik të pambuluar, i vendosur mbi platformë betoni me xoklaturë, me sipërfaqe 340 m²; platformë betoni me sipërfaqe totale 390 m²; brez dhe mure mbajtëse me sipërfaqe totale 12 m²; shkallë dhe sheshpushim betoni 53 ml; platformë dërrase e vendosur mbi konstruksion metalik; tuba me sipërfaqe 407 m², si dhe strukturë metalike me tuba të pambuluar me sipërfaqe 66 m²; objekt 1-katësh me konstruksion betonarme, i mbuluar, me sipërfaqe 22.8 m², pa leje ndërtimi.
Në momentin e njoftimit të procesverbalit të konstatimit, pala subjekt i inspektimit, e përfaqësuar nga avokati, nuk paraqiti asnjë dokument zyrtar justifikues mbi punimet e ndërtimit të kryera deri në atë moment.
Në këto kushte, IKMT procedoi me marrjen e vendimit nr. 0000034, datë 13.05.2026, “Për prishjen e objektit të kundërligjshëm”, si dhe vendimit nr. 0000125 për gjobitjen e subjektit me shumën 11,680,054 lekë. Më datë 14.05.2026, IKMT filloi ekzekutimin e vendimit të prishjes në terren dhe këto veprime u përmbyllën gjatë ditës së sotme.
Po sot, më datë 18.05.2026, avokati i subjektit paraqiti pretendimin se ekziston një leje ndërtimi e KKTU-së për strukturën në fjalë.
Pas verifikimeve të kryera, IKMT konstatoi se për zonën në fjalë rezultonte të ishte lëshuar një leje e KKTU-së me nr. prot. 3509/4, datë 05.08.2025, miratuar me vendimin e KKTU-së nr. 53, datë 28.05.2025, “Leje për strukturë shërbimi në stacionet e plazhit për objektin – Strukturë shërbimi”, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë dhe zhvillues subjektin “COPACABANA Saranda”. Sipas kësaj lejeje, sipërfaqja e parcelës së marrë me qira ishte 389 m², sipërfaqja e strukturës 60 m², sipërfaqja e platformës së sistemimit me strukturë hijezuese 110 m², ndërsa lartësia maksimale 3.5 m. Struktura parashikohej me materiale të lehta dhe pa shtrirje në det.
Ndërkaq, Agjencia Kombëtare e Bregdetit bën me dije se, më datë 25.10.2025, subjekti “CopaCabana Saranda” ka kërkuar me vullnetin e tij zgjidhjen e kontratës së qirasë për përdorimin e stacionit të plazhit nr. SR-41, me nr. prot. 1159, datë 17.04.2025, si dhe heqjen dorë nga përdorimi i saj në vijim. Në vijim të kësaj kërkese, Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka proceduar me zgjidhjen e kontratës së qirasë nr. prot. 1159, datë 17.04.2025, konfirmuar sipas shkresës nr. prot. 3291/1, datë 27.10.2025, drejtuar subjektit “CopaCabana Saranda”.
Në përfundim, rezulton qartësisht se subjekti po kryente ndërtim pa leje në kushtet kur nuk gëzonte të drejtën e përdorimit të kësaj hapësire dhe, rrjedhimisht, as të lejes së ndërtimit të dhënë nga KKTU-ja në vitin 2025 në funksion të së njëjtës kontratë.
Edhe në rast se pretendimi i subjektit për ekzistencën e kësaj lejeje do të ishte i saktë, leja e lëshuar nga KKTU-ja, e cituar nga subjekti, nuk ka asnjë lidhje me situatën e evidentuar në terren, me llojin dhe volumin e punimeve të paligjshme të kryera, përfshirë edhe hapësirën detare.