Analisti: Rezoluta PD-PS bie ndesh me deklaratat e Berishës
Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke ndalur theksin te marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe mazhorancës, si edhe te situata e brendshme në opozitë.
Sipas Baçit, firmosja nga PD e rezolutës për integrimin evropian së bashku me Partinë Socialiste përbën një akt publik që bie në kundërshti me retorikën politike të kreut demokrat Sali Berisha.
“PD firmosi rezolutë bashkë me PS. Ky është akti publik që u shfaq dhe shkon kundër retorikës që Berisha shfaq në deklaratat e tij kur thotë se me këtë qeveri nuk mund të integrohemi në BE”, u shpreh ai.
Analisti theksoi se marrëveshjet mes opozitës dhe mazhorancës nuk janë problem në vetvete, por sipas tij çështja kryesore mbetet transparenca ndaj publikut.
“Nuk ka gabim të merresh vesh me mazhorancën, por problemi është te transparenca. U bë një rezolutë pa debat, duke u marrë vesh që palët kishin rënë dakord”, deklaroi Baçi.
Ai u ndal edhe te retorika e opozitës për protesta dhe “kryengritje”, duke thënë se realiteti në terren nuk ka reflektuar deklaratat e bëra nga drejtuesit e PD-së.
“Berisha përmend kryengritjen më të madhe, por nuk e kemi parë. Ka diçka që nuk shkon me PD në këto raste. Në një vend normal opozita duhet të jetë shpresë. Rotacionin politik e bën opozita”, tha analisti.
Baçi foli edhe për debatet e brendshme në Partinë Demokratike, duke theksuar se beteja duhet të zhvillohet për përmirësimin e partisë dhe jo përçarjen e saj.
Ai vlerësoi qëndrimin e ish-deputetit Ervin Salianji, duke e cilësuar si të matur për faktin që nuk ka ndjekur rrugë gjyqësore ndaj PD-së.
“Salianji është treguar shumë i matur që nuk ka ndjekur çështje gjyqësore ndaj PD. Duke iu drejtuar forumeve të partisë, ai tregon se ende u beson atyre”, u shpreh Baçi.