Ndodh në Kuçovë: 45-vjeçari i merr armën policit dhe e qëllon gjatë arrestimit
18 maj 2026 – Një tjetër punonjës policie i plagosur në vend, në më pak se 24 orë. Këtë herë, në Kuçovë!
Siç thuhet në njoftimin zyrtar të bluve, një 45 vjeçar e ka plagosur policin 20 vjeçar me armën e tij të shërbimit, teksa ky i fundit po e shoqëronte në komisariat për “prishje të qetësisë publike”.
Mësohet se punonjësi i policisë ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autorit të plagosjes iu gjet një sasi kokaine e fshehur në trup. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Vlen të theksojmë se një tjetër efektiv policie u plagos mesnatën e së dielës, në afërsi të banesës së tij në zonën e Shkozës. Në atë moment ai ndodhej jashtë shërbimi, ndërsa fqinji i tij kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. 30 vjeçari mori një plumb në këmbë, edhe pse nuk ishte shënjestër e atentatit, me autorë dy vëllezër.
Edhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa është pezulluar nga detyra sepse nuk ka njoftuar policinë për thyerjen e masës së sigurisë nga fqinji i tij.