E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaArteXhahid Bushati: Një tekst i dobët në këngë rrëzon edhe muzikën më të mirë

Xhahid Bushati: Një tekst i dobët në këngë rrëzon edhe muzikën më të mirë

Teksti i këngës mbetet një nga elementët më të rëndësishëm të një kënge, por sot nuk po i jepet vëmendja e duhur. Xhahid Bushati, studiues dhe autor i shumë teksteve të interpretuara në festivale shqiptare, shprehet për rëndësinë e mesazhit, emocioneve dhe poezisë në këngë, si dhe për sfidat, që përballet krijimtaria muzikore sot. Në intervistën për gazetën “SOT” autori Xhahid Bushati thotë se një këngë e mirë nuk mund të lindë pa një fabul të fortë, emocione të vërteta dhe një harmoni të plotë mes muzikës, vargut dhe interpretimit.

Ndër të tjera ai shpreh dhe shqetësim për prirjen e sotme drejt komercializimit të muzikës dhe mungesës së filtrave artistikë në festivale. Xhahid Bushati ndalet edhe te rikthimi i “Festivalit të Pranverës” në RTSH, duke e parë atë si një mundësi për ringjalljen e vlerave artistike të dikurshme. Gjithashtu Bushati komenton edhe përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision 2026”, që u zhvillua këtë vit në Vjenë në Austri, duke e vlerësuar artistikisht, por duke theksuar ndikimin e faktorëve të jashtëm në rezultatet finale. Si autor, Xhahid Bushati shquhet për një krijimtari të gjerë dhe të larmishme. Ai ka botuar libra për fëmijë të të gjitha moshave dhe libra për të rritur, duke lëvruar poezinë, përrallën, tregimet, novelat dhe pjesët për kukulla. Nderuar me çmim të parë në një prej festivaleve më të mira të këngës qytetare në vend “Lule borë”, si autor tekstesh Xhahid Bushati ka marrë pjesë dhe në festivalet e fëmijëve për 30 vite rresht.

– Pas më shumë se 20 vitesh rikthehet Festivali i Pranverës në RTSH. Sipas jush, çfarë duhet bërë që ky festival të rikthehet denjësisht dhe të ketë vlerat artistike që ka pasur dikur?

Më parë duhet njohur festivali për vlerat që mbartëte e për vlerat që përçonte. Sigurisht, me të duhet të merren ata krijues, që dikur kanë qenë jo vetëm dëshmitarë të atij festivali, por kanë kontribuar denjësisht. Më vjen mirë që po kthehet sërish. Ka lënë shenjë të mirë në ecurinë e këngës shqiptare. Shpresoj të mos zhgënjehemi.

-Çfarë do të dëshironit të mos humbiste kurrë nga tradita e Festivalit të Pranverës?

Do të dëshiroja që të mos humbiste koncepti i festivalit, platforma (sigurisht në realitete të reja), simbolika e pranverës, dhe aroma e këngëve që kishin moshë rinie. E, kjo nuk është shumë e lehtë…Ndaj do të doja që të pranishëm dhe kontribues të ishin dhe mjeshtrit Zhani Çiko, Zef Çoba, Vladimir Kotani… etj, dhe në mënyrë të veçantë Gjergj Leka. Edhe tesktshkruesit e talentuar si Arben Duka, Xhevahir Spahiu, Zhuliana Jorganxhi, Jorgo Papingji, etj.

-Ju keni kontribuar edhe në festivale si autor tekstesh në këngë. A mendoni se festivalet shqiptare vazhdojnë t’i japin rëndësi tekstit?

Jo dhe aq. Sidomos e keqësojnë këtë dukuri një pjesë e kantautorëve, që mendojnë se i “bëjnë të gjitha”.

-Si autor tekstesh, çfarë mendoni se i mungon më shumë sot një kënge për t’u quajtur e bukur?

Sigurisht një fabul e gjetur dhe interesante, që t’i përgjigjet një krijim muzikor i duhur dhe një orkestracion funksional, dhe një interpretim zëri për t’u admiruar. Kënga, sipas meje, nuk është treg në kuptimin e tregut të rëndomtë, por është shpirt, art dhe të këndohet nga publiku me zemër dhe të mbahet mend.

-Kur shkruanit tekstet tuaja, cili ishte elementi më i rëndësishëm, poezia, mesazhi apo emocioni?

Sipas meje të gjitha, por ama të jenë në harmoni e në funksion. Të mos i zënë dritën njëri-tjetrit. Ndryshe vjen errësira dhe ajo humbet çdo gjë të krijuar bukur, sidomos harresën.

-Si e kujtoni periudhën e festivaleve të dikurshme krahasuar me klimën muzikore të sotme?

Unë kam ende “dobësi” për ata festivale dhe shumë këngë, edhe sot i dëgjoj me ëndje. Kurse sot ka një klimë muzikore, që përgjithësisht ka prirje drejt biznesit e fitimit, ndaj ka një tollovi dhe paqartësi që, zor se mund të rregullohet.

-Në kohën tuaj tekstet kalonin filtrin e festivaleve. Sot duket sikur gjithçka publikohet menjëherë. Është kjo mirë apo dëm për muzikën?

Atëherë, kënga ka kaluar disa etapa, që kanë qenë të domosdoshme për të dalë në skenë për t’u kënduar. Për mua kënga është e shenjtë dhe skena është e shenjtë. Sot disa rregulla artistike mungojnë, atëherë në atë kohë ishin funksionale, sepse e donte kënga, misioni i saj, që përcillte me dashuri. Më duket sikur gjithkush sot bën tekste e gjithkush mund të marrë pjesë në festivale, sido që të jetë edhe teksti. Më duket se një dorë e tillë artistike e kompetente mungon.

-Mendoni se tekstet e sotme po i largohen gjuhës së bukur shqipe?

Mendoj se po. Pastaj prirja për të shkruar dhe kënduar gegënisht, kur nuk e njeh gegënishten, mendoj po i bëhet dëm i madh opusit të këngës shqiptare dhe zhvillimit të saj.

– Si e shikoni në tërësi përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision 2026”, si nga ana muzikore dhe e tekstit, ashtu edhe mënyrën si prezantohemi si vend në skenën ndërkombëtare?

E quaj sukses. Për mua ishte një këngë e bukur me një tekst të bukur, ku zëri i këngëtarit të talentuar Alis Kallaçi e përfaqësoi Shqipërinë, denjësisht. Ishte një baladë e fuqishme, ku malli, dhimbja loti, shpirti “lëviznin” përmes zërit brilant të këngëtarit që e përcolli këngën me dinjitet të plotë. Pastaj, është e pritshme ndërhyrja e gjeopolitikës. Ajo të dëmton rëndë, aq më shumë një vend i vogël siç jemi ne.

Intervistoi: Julia Vrapi

Lini një koment