Ferrari synon maksimalin në Çmimin e Madh të Kanadasë
Botërori i Formula 1 zhvendoset këtë fundjavë në Kanada, me garën që do të zhvillohet në pistën e Montrealit. Ferrari synon të përmirësojë rezultatin pas garës në Majemi tri javë më parë.
Sipas telesport, menaxheri i Ferrarit, Frederic Vasseur, përshkroi Çmimin e Madh të Kanadasë si një event të veçantë, me një atmosferë të fortë si në qytet ashtu edhe në pistë dhe me shumë mbështetje tifozësh, përfshirë italianët. Ai theksoi se pista e Montrealit është shumë kërkuese ndaj frenave, kërkon tërheqje të mirë në dalje të kthesave dhe paraqet sfida në kthesat e ngadalta.
Vasseur paralajmëroi se moti dhe temperaturat e ulëta këtë vit mund të shtojnë nivelin e vështirësisë, sidomos duke pasur parasysh formatin sprint që lë pak kohë për përgatitje. Për ekipin, prioritet është të jetë gati që nga seancat e para, të përqendrohet në ekzekutim dhe të minimizojë gabimet gjatë gjithë fundjavës.
Në përfundim, Vasseur nënvizoi se Ferrari duhet të shfrytëzojë çdo mundësi që krijohet në pistë dhe të jetë i gatshëm për çdo skenar, raporton telesport.