Saturday, 4 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaBE nxit marrëveshjen SHBA–Iran, Von der Leyen paralajmëron për rreziqet në rajon

BE nxit marrëveshjen SHBA–Iran, Von der Leyen paralajmëron për rreziqet në rajon

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur përparimin drejt një marrëveshjeje të mundshme mes SHBA-së dhe Iranit, duke theksuar nevojën për një marrëveshje që do të ulte tensionet dhe do të parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon.

“E mirëpres përparimin drejt një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe Iranit. Ne kemi nevojë për një marrëveshje që vërtet e ul konfliktin, rihap Ngushticën e Hormuzit dhe garanton lirinë e plotë të lundrimit pa tarifa”, ka shkruar von der Leyen në platformën X.

Ajo ka përsëritur se Iranit “nuk duhet t’i lejohet të zhvillojë armë bërthamore” dhe i ka bërë thirrje Teheranit t’u japë fund veprimeve që i cilësoi si “destabilizuese në rajon, drejtpërdrejt ose përmes grupeve aleate, si dhe sulmeve të tij të pajustifikuara dhe të përsëritura ndaj fqinjëve”.

“Evropa do të vazhdojë të punojë me partnerët ndërkombëtarë për ta shfrytëzuar këtë moment për një zgjidhje diplomatike afatgjatë. Po ashtu, për të kufizuar pasojat e këtij konflikti, veçanërisht mbi zinxhirët e furnizimit dhe çmimet e energjisë”, ka shkruar von der Leyen.

Lini një koment