KINEMA – Dustin Hoffman: Xhirimi i filmit “I diplomuari” ishte një përvojë e tmerrshme, pavarësisht se ndryshoi jetën time
LOS ANXHELES, 3 nëntor /ATSH-ANSA/ – Aktori amerikan Dustin Hoffman ka rrëfyer vështirësitë dhe pasiguritë që përjetoi gjatë xhirimeve të filmit “I diplomuari” (The Graduate, 1967), një prej roleve që ndryshoi jetën dhe karrierën e tij.
Në një ese të botuar në revistën “The New Yorker”, aktori, i cili është pothuajse 89 vjeç, tregon se gjatë xhirimeve ndihej i papërshtatshëm për rolin e Benjamin Braddock, personazhit kryesor të filmit me regji të Mike Nichols.
“U ndjeva menjëherë në siklet dhe i padenjë. Isha aty duke luajtur rolin kryesor në një film të Mike Nichols, i cili në atë kohë ishte regjisori më i kërkuar, por mendoja se nuk kisha asnjë të drejtë të isha aty”, shkruan Hoffman.
“Xhirimi i filmit që ndryshoi jetën time ishte një përvojë e tmerrshme”, shton ai, duke treguar se kishte frikë se regjisori ishte i pakënaqur me të, ose sepse po gabonte gjatë interpretimit, ose sepse kishte kuptuar se kishte bërë një zgjedhje të gabuar për aktorin kryesor.
Hoffman rrëfen se pasiguritë e tij nisën që në momentin kur agjenti i tij i tregoi se Nichols ishte i interesuar për ta përzgjedhur në film. Aktori fillimisht nuk dëshironte as të merrte pjesë në audicion, pasi mendonte se nuk i përshtatej aspak personazhit të Benjamin Braddock, bazuar në romanin e Charles Webb që po përshtatej për ekranin.
Ai shprehte gjithashtu dyshime për pamjen e tij, duke pyetur veten se si mund të përzgjidhej një aktor me tipare kaq etnike për të interpretuar një personazh që përfaqësonte stereotipin e një amerikani të bardhë, protestant dhe nga shtresat e privilegjuara të shoqërisë (WASP).
Në esenë e tij, aktori përshkruan edhe marrëdhënien e vështirë me regjisorin gjatë xhirimeve. Sipas tij, Nichols shpesh shfaqej i irrituar dhe kishte një sjellje krejt të ndryshme nga ajo që tregonte gjatë provave, duke e bërë Hoffman të mendonte vazhdimisht se mund të largohej nga projekti.
Aktori tregon edhe një episod gjatë xhirimit të një skene me aktoren Katharine Ross, e cila duhej ta godiste me shuplakë. Regjisori kërkoi 27 përsëritje të skenës, duke bërë që Hoffman të merrte 27 shuplaka. Megjithatë, në fund, skena nuk u përfshi fare në versionin përfundimtar të filmit.