E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Të shtëna me armë në një festival në SHBA, 12 persona të plagosur! Autorët në arrati

Të shtëna me armë në një festival në SHBA, 12 persona të plagosur! Autorët në arrati

Të paktën dymbëdhjetë persona u plagosën të shtunën në qytetin e Toledos, në shtetin amerikan të Ohajos në verilindje, në margjinat e një festivali lokal, tha policia, e cila deri më tani nuk ka arrestuar asnjë të dyshuar.

“Dymbëdhjetë persona u plagosën nga të shtënat me armë zjarri, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë”, u tha gazetarëve zëvendësshefi i policisë së Toledos, Joseph Heffernan, duke shtuar se deri më tani nuk është arrestuar asnjë i dyshuar.

Sipas raporteve fillestare, të paktën dy persona hapën zjarr, tha ai.

“Ndoshta kanë qëlluar drejt njëri-tjetrit”, vlerësoi ai.

Ngjarja u regjistrua pranë qytetit të vjetër, ku po zhvillohet Festivali dy-ditor i Old West End, i cili u ofron vizitorëve koncerte, tregje, ekspozita dhe ngjarje çdo vit, sipas faqes së tij të internetit.

Autoritetet po marrin deklarata nga dëshmitarë okularë dhe po shqyrtojnë videot e filmuara me celularë nga kalimtarët. Ata i bënë thirrje publikut të paraqesë çdo informacion që mund t’i ndihmojë ata të kapin të dyshuarit.

Sipas Dan Gerken, një oficer policie, shumica e viktimave ishin në të 20-at.

Shtetet e Bashkuara kanë më shumë armë sesa njerëz, dhe qasja në to ose blerja e tyre është përgjithësisht e lehtë. Vendi numëron mijëra vdekje çdo vit nga dhuna me armë, më shumë se çdo vend tjetër i zhvilluar ekonomikisht, pa llogaritur vetëvrasjet.

Lini një koment