Ushtria nigeriane liron 360 pengje nga bastioni i Boko Haramit
Forcat e sigurisë nigeriane kanë liruar 360 burra, gra dhe fëmijë të mbajtur nga rrëmbyesit në rajonin malor të shtetit Borno në verilindje të vendit, tha ushtria.
Sipas ushtrisë, pengjet u shpëtuan gjatë një operacioni të udhëhequr nga inteligjenca në Malet Mandara, ku ata mbaheshin nga fraksioni kryesor i grupit islamist Boko Haram, grupi Jama’atu Ahlis Sunna Lida’awati wal-Jihad (JAS), raportoi Reuters.
Ushtria tha se pengjet u rrëmbyen nga komunitete të ndryshme në rajon dhe u mbajtën në një zonë të largët malore për një periudhë të pacaktuar kohore. Operacioni u krye nga një task forcë e përbashkët, duke përfshirë forcat speciale, të cilat i detyruan anëtarët e JAS të largoheshin nga pozicionet e tyre.
Gjatë operacionit të shpëtimit, dy fëmijë që ishin në robëri vdiqën si pasojë e lodhjes dhe kushteve të vështira në të cilat mbaheshin pengjet, tha ushtria.
Nigeria është përballur me sfida serioze sigurie për vite me radhë, duke përfshirë aktivitetet e kryengritësve islamistë, grupet e armatosura kriminale dhe rrëmbimet e shpeshta për shpërblim, veçanërisht në pjesët veriore të vendit, thekson Reuters. Siguria dhe lufta kundër rrëmbimeve pritet të jenë ndër çështjet kryesore politike përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të vendit.