Kompania e Kushner reagon për Zvërnecin: Nuk jemi të përfshirë
Edhe pse qeveria shqiptare dhe mediat që e mbështesin thonë se pas investimit të një resorti luksoz në Zvërnec qëndron Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner, këta të fundit vijojnë ta mohojnë një gjë të tillë.
E kontaktuar nga CNBC, kompania e Kushnerit, “Affinity Partners” e adresoi median amerikane te një firmë PR.
Kjo agjencia tha se “Sazan Real Estate Development LLC” është entiteti që zhvillon projektin dhe se Affinity Partners nuk ka asnjë përfshirje.
Kompania e PR shtoi se çdo partner amerikan i saj ishte i përfshirë në cilësinë e tij personale.
“Qëllimi ynë është i thjeshtë: të celebrojmë bukurinë natyrore të Shqipërisë, të krijojmë vende pune dhe të ndërtojmë diçka për të cilën brezat e ardhshëm mund të jenë krenarë”, – tha në një deklaratë për CNBC, Asher Abehsera, drejtues i “Sazan Real Estate Development LLC”.
“E ardhmja e projektit në fund të fundit do të përcaktohet nga Shqipëria dhe populli shqiptar”, tha Abehsera.