Braktiset blegtoria, numri i krerëve ra me 3.8% në 2025
Të dhënat zyrtare për 2025 tregojnë një panoramë shqetësuese, ku shumica e kategoritë kryesore të bagëtive kanë shënuar rënie, duke reflektuar vështirësitë në të cilat ndodhet ky sektor jetik i ekonomisë.
Numri i krerëve në total shënoi rënie në vitin 2025 me 3.8 për qind në krahasim me vitin 2024. Vitin që shkoi u numëruan gjithsej 1085 krerë nga 2168 që ishin në vitin 2024.
Në sektorin e gjedhëve, pas një periudhe të gjatë rënieje, të dhënat tregojnë shenja të lehta stabilizimi, ku numri i krerëve u rrit nga 272 mijë në 275 mijë gjatë vitit 2025, duke shënuar një shtim prej 3 mijë krerësh ose 1 për qind në vitin e kaluar.
Ndryshe po ndodh me të imtat, të cilat mbeten kategoria më problematike, pasi numri i përgjithshëm i deleve dhe dhive ra nga 1,792 mijë krerë në vitin 2024 në 1,736 krerë, duke u tkurrur me 56 mijë krerë brenda një viti, ose-3%.
Sektori i derrave regjistroi tkurrjen më të ashpër në raport me madhësinë e tij, duke pësuar një rënie prej 28% ne një vit, nga 104 mijë krerë në vitin 2024 në 2025 u raportuan vetëm 75 mijë krerë, ndërsa popullsia e shpendëve vijoi gjithashtu trendin rënës, duke zbritur nga 6,992 mijë krerë në 2024 në 6,953 krerë në 2025, me tkurrje 1%.
Në kontrast me këto zhvillime, bletaria ka shënuar rritje të shpejtë, ku numri i koshereve u rrit me 58 mijë, duke arritur në 645 mijë krerë në vitin 2025, çka përbën një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2024.
Nga viti 2021 në 2025 numri i krerëve të gjedhit ra me 18% dhe i te imtave ra gjithashtu me 18%. Ndërkohe numri i derrave u përgjysmua duke shënuar rënie me 53 për qind pas pandemisë.
Rënia e blegtorisë lidhet me shume arsye ndër të cilat faktori demografik kryeson. Një numër i konsiderueshëm i fermerëve të moshuar po e braktisin blegtorinë për shkak të pamundësisë fizike për të përballuar punën e rëndë, ndërsa brezat e rinj shfaqin interes të ulët për këtë sektor.
Fermerët shpesh hasin vështirësi në vendosjen e produkteve të tyre në treg me çmime konkurruese, gjë që e bën mbajtjen e bagëtive ekonomikisht të paqëndrueshme./Monitor