Shtyhet afati i aplikimeve për fermerët, ministri Salla: Deri më 6 korrik hapet skema e mbështetjes
Interesi i fermerëve për të përfituar nga skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi çoi në shtyrjen e afatit të aplikimeve me 10 ditë. Afati ishte këtë të premte, më 26 qershor, dhe për t’u dhënë më shumë mundësi fermerëve të bëhen pjesë e programit, deri më 6 korrik gjithçka është e hapur për ta.
Ministri Salla sqaroi edhe fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë dhe zhvillimin rural, që menaxhohen kryesisht përmes programit IPARD III, dhe tha se në fund të muajit një delegacion nga BE pritet të vijë për t’u dakordësuar.
“Presim një delegacion në fund të muajit nga BE, për t’u dakordësuar dhe çfarë do të diskutojmë, t’i lihet kohë diskutimit. Jemi në proces e sipër, shumë pak ditë për t’u shprehur zyrtarisht se si do të qasemi me IPARD. Jemi në proces pozitiv, mbetemi shpresëplotë dhe, duke u dakordësuar për IPARD-in, t’u vëmë fermerëve në dispozicion një shifër prej 148 milionë eurosh”, tha ministri.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, foli për gazetarët gjatë një daljeje me homologun e tij të Kosovës, Armend Muja, ku zyrtarët e lartë bënë me dije edhe dy marrëveshjet e nënshkruara në Tiranë, që kanë të bëjnë me sektorin e bujqësisë. Synohet modernizimi, rritja e eksporteve dhe forcimi i sigurisë ushqimore, por edhe hartimi i një qasjeje të përbashkët për marketingun, promovimin dhe tregtimin e produkteve agroushqimore.