Sunday, 28 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaHistoriani Kasmi: Patriotizmi po përdoret si instrument politik në protestën për Zvërnecin

Historiani Kasmi: Patriotizmi po përdoret si instrument politik në protestën për Zvërnecin

Historiani dhe studiuesi Marenglen Kasmi sheh me shqetësim mënyrën se si protesta e nisur për ‘Zvërnecin’ është zhvendosur nga një kauzë konkrete mjedisore drejt një retorike më të gjerë politike, ku ndjenjat patriotike po përdoren gjithnjë e më shumë si instrument mobilizimi.

I ftuar në Apostrof Podcast nga Bjorn Runa, Kasmi shprehet se, ndërsa protesta është një e drejtë demokratike që fillimisht ngriti shqetësime legjitime rreth transparencës, mjedisit dhe mënyrës se si merren vendimet për pasuritë publike, me kalimin e ditëve, fokusi fillestar u zbeh. Në vend të debatit për projektin, dokumentet, ndikimin në zonë apo përgjegjësinë e qeverisë, në shesh filluan të dominojnë parulla më të mëdha, më emocionale dhe më pak të qarta: nga “Shqipëria nuk është në shitje” te thirrjet për revolucion dhe rrëzim sistemi.

Për Kasmin, problemi nuk është patriotizmi. Përkundrazi, ai e sheh kujdesin për interesin kombëtar si të domosdoshëm. Problemi nis kur patriotizmi kthehet në pseudo-patriotizëm dhe përdoret për të zhvendosur një protestë qytetare drejt një loje më të rrezikshme politike.

Një pikë e ndjeshme në analizën e tij është përfshirja e shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora në një protestë që ka të bëjë me politikën e brendshme të Shqipërisë. Kasmi nuk e mohon lidhjen emocionale dhe kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodhen me Shqipërinë, por bën dallimin mes solidaritetit kombëtar dhe legjitimitetit politik. Sipas tij, bashkëpunimi mes dy qeverive shqiptare duhet të jetë strategjik dhe afatgjatë, jo të përdoret për mobilizime momentale në funksion të betejave të brendshme politike.

Në këtë kuptim, ai e sheh momentin aktual si veçanërisht delikat. Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të rrugës drejt Bashkimit Europian dhe çdo tension i panevojshëm, sidomos kur vishet me retorikë pseudo-patriotike, mund të prodhojë kosto politike. Kasmi përdor metaforën e kombëtares shqiptare në “minutën e tetëdhjetë”: pas një loje të mirë, skuadra humb përqendrimin, bën autogola dhe rrezikon rezultatin.

Për të, rruga e ndryshimit nuk kalon nga revolucione të paqarta, por nga përfaqësimi, programi dhe kutia e votimit. Nëse protesta kërkon të jetë më shumë se zemërim i sheshit, ajo duhet të tregojë çfarë kërkon konkretisht, kush merr përgjegjësi për të dhe çfarë alternative ofron. Përndryshe, rrezikon të mbetet një lëvizje e nisur nga një kauzë qytetare, por e zhvendosur nga retorika e pseudo-patriotizmit./TemA

Lini një koment