Rama: Transformimi i shëndetësisë është në sytë e të gjithë atyre që duan të shohin
U inaugurua këtë të hënë Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, ku i pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal te hapat që janë ndërmarrë për modernizimin e sistemit spitalor në vend, duke vënë theksin te përmirësimi i kushteve higjieno-sanitare dhe rritja e mbështetjes financiare për bluzat e bardha.
Sakaq, Rama u shpreh se transformimi i shëndetësisë është në sytë e të gjithë atyre që duan të shohin, por shëndetësia është në të njëjtën kohë edhe në gojët e të gjithë atyre që nuk duan të shohin.
“Sot jemi në një tjetër finish pas një tjetër maratone, ku ndërmorëm një transformim të domosdoshëm të kësaj strukture dhe sot hapim dyert e një materniteti të rilindur, duke pasur kujdes të kaluarën si trashëgimi kulturore.
Transformimi i shëndetësisë është në sytë e të gjithë atyre që duan të shohin, por është edhe në gojën e të gjithë atyre që nuk duan të shohin.
Nuk kemi shumë nga ato probleme që kishim, me numër marramendës të infeksioneve dhe kushteve të vështira higjienike dhe në sistemin tonë kryhen afro 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale.
Është një volum i jashtëzakonshëm shërbimi, i cili flet për faktin që mjekët dhe infermierët i shërbejnë publikut me dinjitet.
Si çdo gjë tjetër që ndodh fatkeqësisht në sistem dhe që i bie ndesh gjithë shumicës dërmuese të bluzave të bardha, nuk e ndyn dot pastërtinë e këtyre bluzave dhe natyrisht është pjesë e objektivit për ta bërë dhe më të mirë sistemin, për ta pastruar tërësisht nga çdo lloj kanali ku veje-vjen llumi i ryshfetit.
Pagat tuaja i kemi rritur shumë ndjeshëm, por dua të jeni të bindur që do të vazhdojmë t’i rrisim pagat, të kujdesemi për mirëqenien e familjeve tuaja”, u shpreh Rama.
FJALA E PLOTË:
Do t’ua kursej fjalën e gjatë të gjithë atyre që janë përballë diellit sepse është shumë e padrejtë që të vazhdojnë të rrinë në këmbë dhe nën atë diell dhe të më dëgjojnë mua.
Dua vetëm të them që më vjen jashtëzakonisht mirë që jemi në një tjetër finish, pas një tjetër maratone, ku faktikisht ndërmorën një transformim të domosdoshëm, por edhe rrënjësor të kësaj strukture dhe sot hapim dyert e një materniteti tërësisht të rilindur, duke e pasur edhe kujdesin për çka i takon të kaluarës si trashëgimi kulturore, por edhe hapësirat e reja, të cilat i shtohen këtij materniteti dhe e bëjnë më të lehtë pa diskutim shërbimin, e bëjnë shumë më cilësor edhe qëndrimin e nënave dhe të fëmijëve që hyjnë dhe dalin nga materniteti.
Transformimi i shëndetësisë është në sytë e të gjithë atyre që duan të shohin, por shëndetësia është në të njëjtën kohë edhe në gojët e të gjithë atyre që nuk duan të shohin.
Dhe dua të bëj atë që bëj gjithmonë kur më jepet mundësia, t’i shpreh respektin tim të gjithë mjekëve, infermierëve, të gjithë punonjësve të shëndetësisë, të cilët bëjnë punë të jashtëzakonshme dhe të cilët përballen po ashtu edhe me një furi të jashtëzakonshme fjalësh që nuk i meritojnë. Por kjo është jeta, kështu i kemi ndarë detyrat; disa duhet të bëjnë punën, disa nuk mbetet gjë tjetër veçse ‘’t’i lehin karvanit’’ që shkon përpara.
Dua vetëm të kujtoj që sot, ne në sistemin tonë shëndetësor kemi shumëçka për të numëruar, por nuk kemi shumë nga ato probleme që kishim, jo larg, por një dekadë më parë; nuk kemi numrin marramendës të infeksioneve post-operatore që mbanin njerëzit me ditë të tëra në spital mbas operacionit si rezultat i kushteve jashtëzakonisht të vështira higjenike dhe si rezultat i instrumenteve mjekësorë tërësisht të dalë boje.
Dhe në sistemin tonë shëndetësor kryhen afro 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale, nga të cilat mesatarisht, 65-70 mijë janë ndërhyrje në sallën e operacionit dhe 25 -30 mijë të tjera janë ndërhyrje kirurgjikale.
Është një volum i jashtëzakonshëm shërbimi, i cili flet për faktin që mjekët dhe infermierët në Shqipëri i shërbejnë publikut, i shërbejnë qytetarëve, i shërbejnë njerëzve që kanë nevojë për ta me dinjitet dhe si çdo gjë tjetër që ndodh fatkeqësisht në sistem dhe që i bie ndesh gjithë shumicës dërmuese të bluzave të bardha, nuk e ndyn dot pastërtinë e këtyre bluzave dhe natyrisht është pjesë e objektivit për ta bërë dhe më të mirë sistemin, për ta pastruar tërësisht nga çdo lloj kanali ku veje-vjen llumi i ryshfetit.
Dhe në mbyllje dua të shtoj që ne e kemi bërë çmos që pagat tuaja të rriten në mënyrë të vazhdueshme.
I kemi rritur shumë ndjeshëm, por dua që të jeni të bindura, se këtu shumica janë gra për fat të mirë, por edhe burrat, mundësisht të jeni të bindur po dhe po nuk u bindet rëndësi ka të binden gratë, e dini formulën time, – se po u bindën gratë edhe burrat duken ku shkojnë pastaj, – që ne do të vazhdojmë t’i rrisim pagat.
Ne do vazhdojmë të kujdesemi për mirëqenien e familjeve tuaja, të cilët sakrifikojnë shumë, pasi ndryshe nga shumë profesione të tjera, ju keni profesion ku familja është e detyruar t’ju ndajë me shumë të tjerë. Nuk ju ka dot vetëm për vete e kam fjalën.
Shumë faleminderit, shumë respekt!
Bëra më të mirën time që t’ua heq diellin nga maja e kokës. Tani spostohuni drejt hijes edhe ta gëzoni këtë hapësirë të re dhe më e mira është e gjitha përpara.
Faleminderit!