Nufi në Konferencën e Mbrojtjes së Athinës: Shqipëria aleate e përkushtuar dhe e besueshme në NATO
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në “Konferencën e Mbrojtjes së Athinës”, ku theksoi kontributin e vazhdueshëm të Shqipërisë si aleate e përgjegjshme në NATO, si dhe nevojën për një Ballkan Perëndimor të integruar në strukturat euro-atlantike.
Me ftesë të homologut grek, Nikos Dendias, Ministri Nufi mori pjesë në këtë konferencë prestigjioze të organizuar nga Forumi Ekonomik i Delfit dhe Fondacioni Helenik për Evropën dhe Politikën e Jashtme (ELIAMEP).
Në fjalën e tij, Ministri Nufi nënvizoi se në një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks, koordinimi strategjik midis aleatëve është një domosdoshmëri absolute.
“Shqipëria jep një kontribut të pandërprerë me përgjegjësi dhe vendosmëri për Aleancën e NATO-s, si një aleate e përkushtuar dhe e besueshme. Ne po rrisim investimet tona dhe po modernizojmë Forcat e Armatosura. Kontributi ynë shtrihet në operacionet e NATO-s, misionet e Bashkimit Evropian dhe nismat ndërkombëtare për sigurinë. Mbështesim një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fuqishme”, deklaroi Ministri Nufi.
Ai shtoi se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet prioritet strategjik për Bashkimin Evropian dhe NATO-n.“Përballë sfidave të reja dhe kërcënimeve në zhvillim ndaj sigurisë ndërkombëtare, Ballkani Perëndimor bëhet më i cenueshëm ndaj ndikimeve keqdashëse, dezinformimit, luftës hibride dhe agjendave destabilizuese”, theksoi ai.
Konferenca e Mbrojtjes së Athinës bashkoi ministra mbrojtjeje, drejtues të lartë ushtarakë të NATO-s, diplomatë, ekspertë të sigurisë dhe përfaqësues të industrisë së mbrojtjes nga vendet e NATO-s dhe Evropës, duke shërbyer si një platformë kryesore për debat strategjik mbi çështjet aktuale të sigurisë globale.