“Planet madhështore”, Rama publikon bisedat e organizatorëve të protestës, qytetari: Mos e ço nëpër mend dorëheqjen
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale atë që ai e paraqet si një bisedë të pretenduar në një grup WhatsApp të organizatorëve të protestës, ku diskutohen objektivat dhe strategjia e lëvizjes.
Sipas Ramës, materiali i është dërguar nga një qytetar, i cili i ka përcjellë me “forward” bisedat e zhvilluara aty.
Në postimin e tij, kryeministri shkruan se bëhet fjalë për atë që ai e cilëson si “planet madhështore” të organizatorëve të protestës, ndërsa shton se mesazhet flasin vetë për nivelin e drejtimit të tyre.
Mes tyre përmenden kërkesa që dorëheqja e kryeministrit të jetë “kushti i parë dhe i panegociueshëm”, krijimi i një qeverie teknike përpara zgjedhjeve të parakohshme, informimi i Presidentit dhe partnerëve ndërkombëtarë, hapja e një fronti ligjor për ndryshime kushtetuese dhe në ligjin për referendumet, si edhe përdorimi i censusit të popullsisë si bazë për përgatitjen e zgjedhjeve të reja.
Mesazh forward nga qytarari i publikuar nga Rama
“1. Mendoj se fokusi te doreheqja e panegociueshme. Nuk duhet te humbim kohe duke kerkuar ndryshime ligjesh specifike. Rama eshte mjeshter i propagandes. Po kerkuam ligje, do t’i shfuqizoje taktikisht, do thote “jua plotësova kerkesat” dhe do te mbaje karrigen. Doreheqja eshte kushti i pare dhe i panegociueshem!
Rama citon dhe mesazhin e dërguar nga qytetari i cili i shkruan që të mos ta çojë nëpër mend të japë dorëheqjen.
“Zoti kryeministër! As mos e ço nëpër mend të dorëhiqesh dhe këtë po ta them unë, një njeri që s’të do, po që e kuptova si protestues i ndodhur me lloj-lloj soj intelektualësh gjoja nëpër grupe WhatsApp se ti o Ramses je e keqja më e vogël! Shih çfarë deliresh dhe jo me flamingo s’kanë punë këta, po janë një racë derri që edhe duan pushtet dhe nuk mbushin hiç. Pupupu o Zot”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Rama.