Wednesday, 1 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaBerisha: Ky është Këshilli Kombëtar më cilësor i PD, mbështesim lëvizjen e gjeneratës së re

Berisha: Ky është Këshilli Kombëtar më cilësor i PD, mbështesim lëvizjen e gjeneratës së re

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Këshilli i ri Kombëtar i PD është “më i fuqishmi dhe më cilësori” në historinë e forcës politike, ndërsa shprehu mbështetjen për atë që e cilësoi si lëvizjen e gjeneratës së re kundër qeverisë.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Berisha tha se organi drejtues i demokratëve merr përsipër “misionin historik” për rikthimin e votës së lirë dhe rotacionin politik në vend.

Ai u ndal edhe te protestat e të rinjve, duke i cilësuar ato si një “lëvizje liberatore” dhe vlerësoi rolin e gjeneratës së re në disa prej zhvillimeve që, sipas tij, kanë shënuar dy dekadat e fundit.

Berisha përmendi protestat kundër asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri, duke thënë se ato u udhëhoqën kryesisht nga gjimnazistë dhe studentë, të cilët, sipas tij, detyruan qeverinë të tërhiqej nga vendimi.

Në fjalën e tij ai iu referua edhe protestave pas vrasjes së Klodian Rashës, duke deklaruar se reagimi i të rinjve solli shkarkimin e ministrit të Brendshëm të asaj kohe.

Sipas kreut të PD-së, lëvizja aktuale e të rinjve nuk do të ndalet pa arritur, siç u shpreh ai, “përmbysjen e kësaj qeverie”. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor propagandë, rrjete sociale dhe faqe të rreme për të penguar këtë lëvizje, por shtoi se përpjekjet e tij “janë të pashpresa”.

Ai e mbylli mesazhin duke theksuar se gjenerata e re, sipas tij, “nuk di të tërhiqet” dhe se do të vazhdojë betejën e saj deri në arritjen e objektivave politike.

Lini një koment