Thursday, 2 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaIu iku Hasan Verracaku nga shtëpia, arrestohen nga kolegët 4 policë në Shkodër

Iu iku Hasan Verracaku nga shtëpia, arrestohen nga kolegët 4 policë në Shkodër

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtoria Rajonale Shkodër-Lezhë, ka arrestuar në flagrancë katër punonjës të Policisë së Shtetit, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Hetimet nisën pasi u konstatua se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, nuk ndodhej në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje.

Pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët e AMP-së, u arrestuan punonjësit e Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër:

  • Inspektor Dorjan Hasandoçaj;
  • Inspektor Gentian Xhanari;
  • Inspektor Dioniz Hotaj;
  • Punonjësi Ridvan Zefi.

Sipas AMP-së, katër efektivët dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me mbikëqyrjen e personit që ndodhej në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Ndërkohë, ndaj shtetasit Hasan Verracaku rëndon dyshimi për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka shkelur kushtet e masës së sigurisë të vendosur nga gjykata.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.

Lini një koment