Friday, 17 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaFRANCË – Macron: Mos u besoni sondazheve për zgjedhjet presidenciale

FRANCË – Macron: Mos u besoni sondazheve për zgjedhjet presidenciale

PARIS, 17 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti francez Emmanuel Macron u bëri sot thirrje qytetarëve dhe analistëve të tregohen të kujdesshëm ndaj sondazheve që parashikojnë një fitore të kandidates së ”Tubimit Kombëtar” (”Rassemblement National”), Marine Le Pen, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Friedrich Merz në Bruhl, pranë Këlnit, Macron tha se sondazhet nuk janë gjithmonë një tregues i saktë i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

“Duhen parë me kujdes sondazhet. Njoh shumë njerëz që në korrik të vitit 2016 konsideroheshin fitues të sigurt, por në maj të vitit 2017 rezultati ishte krejt tjetër”, tha ai, duke iu referuar zgjedhjes së tij si president i Francës.

Presidenti Macron u bëri thirrje francezëve të mos bien pre e parashikimeve pesimiste dhe të besojnë te vendimmarrja demokratike e qytetarëve.

“Besojini popullit francez. Mos parashikoni gjithmonë më të keqen. Lëreni të zgjedhë më të mirën”, deklaroi presidenti francez.

Komentet e Macron vijnë në një kohë kur disa sondazhe të fundit tregojnë se Marine Le Pen dhe forca e saj politike gëzojnë mbështetje të lartë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, megjithëse fushata ende nuk ka nisur zyrtarisht.

Macron nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi sipas Kushtetutës franceze, ndaj gara e vitit 2027 pritet të jetë një nga më të rëndësishmet në politikën franceze të viteve të fundit. /Ad.Ab./ a.jor.

 

Lini një koment