Friday, 17 July 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaKonjufca letër Kallasit: Jemi të shqetësuar për reagimin e kufizuar të BE-së, pas deklaratave të Paunoviqit

Konjufca letër Kallasit: Jemi të shqetësuar për reagimin e kufizuar të BE-së, pas deklaratave të Paunoviqit

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke kërkuar një reagim më të ashpër të BE-së ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Në letrën e tij, Konjufca e cilëson deklaratën si një “lavdërim të qëllimshëm të krimeve të luftës”, nxitje të urrejtjes dhe kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, retorika e një ministreje në detyrë nuk mund të trajtohet si një gafë e zakonshme, pasi intervista e saj ishte, siç tha ai, e mbushur me përmbajtje revizioniste dhe armiqësore që dëmton dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Konjufca shprehu gjithashtu pakënaqësi me reagimin fillestar të Bashkimit Evropian, duke thënë se ai ishte i vonuar dhe i kufizuar.

“Një reagim publik më i qartë dhe më i fuqishëm është i domosdoshëm për të mbështetur angazhimin e Bashkimit Evropian për parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftimin e revizionizmit historik”, thuhet në letër.

Në dokumentin dërguar Kallasit, ministri i Jashtëm në detyrë kërkon që BE-ja:

të dënojë publikisht dhe qartë deklaratën e ministres Paunoviq; t’ua rikujtojë autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papajtueshme me vlerat evropiane dhe procesin e anëtarësimit; ta trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut politik me Serbinë dhe në procesin e integrimit evropian.

Konjufca i ka kërkuar gjithashtu Kallasit një takim ose bisedë telefonike sa më parë për të diskutuar këtë çështje.

Në fund të letrës, ai rithekson se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë shumetnike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve, duke theksuar se spastrimi etnik dhe ndëshkimi kolektiv janë të papranueshme në çdo formë.

Lini një koment