U kap me tritol dhe granata në mes të Tiranës, Petrit Çeça “kyç” gojën para hetuesve
Arrestimi i 52-vjeçarit Petrit Çeça me një sasi të konsiderueshme lëndësh plasëse ka ngritur dyshime se eksplozivi ishte destinuar për atentate të mundshme të grupeve kriminale që veprojnë në Tiranë dhe në zonën e Fushë-Krujës.
Detajet mbi operacionin u bënë të ditura nga gazetari Esido Barkaj në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus.
Operacioni policor i koduar “Porosia” u zhvillua nga Drejtoria e Policisë së Tiranës pas një informacioni të siguruar në rrugë operative. Në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, efektivët lokalizuan dhe arrestuan në flagrancë 52-vjeçarin në rrugën “Kastriotët”, teksa lëvizte me automjetin e tij.
Gjatë kontrollit në mjet u sekuestruan dy granata dore luftarake, dy ndezës unifikues, 600 gramë lëndë plasëse tritol, një pjesë e së cilës ishte e pajisur me dy fitila dhe dy kapsolla detonatore gati për shpërthim, si edhe gjashtë kapsolla të tjera detonatore.
Sipas hetimeve paraprake, ekzistojnë dyshime të forta se lëndët plasëse do të përdoreshin për atentate të planifikuara nga grupe kriminale. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse eksplozivi ishte siguruar për llogari të personave të tjerë ose kishte si destinacion shitjen.
52-vjeçari është marrë në pyetje, por nuk ka dhënë shpjegime për origjinën e lëndëve plasëse apo personat që i kishin porositur. Ndërkohë, policia ka sekuestruar telefonin e tij celular dhe ka ushtruar kontrolle në banesën e tij në Fushë-Krujë, si dhe në ambiente të tjera me interes për hetimin.
Grupi hetimor ka disa persona të dyshuar, por identiteti i tyre mbahet sekret për shkak të fazës delikate të hetimeve. Fokusi mbetet identifikimi i bashkëpunëtorëve që kanë siguruar dhe transportuar lëndët plasëse, si dhe zbulimi i porositësve.
Petrit Çeça rezulton me precedentë penalë në fushën e narkotikëve, pasi më herët është arrestuar për kultivim kanabisi në zonën e Fushë-Krujës. Sipas policisë, ai dyshohet se nuk ka vepruar i vetëm, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe zbardhjen e rrjetit të personave të përfshirë.