Thursday, 13 August 2026
54°F Detroit
BallinaArteNdahet nga jeta Emin Riza, studiuesi i trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale

Ndahet nga jeta Emin Riza, studiuesi i trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale

U nda nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale.

Ai lindi më 3 korrik 1937, në Shkodër. Me një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, akad. Riza ka dhënë një kontribut të spikatur në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale shqiptare.

Është autor i veprave më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare si: “Qyteti – Muze i Gjirokastrës” (1980) – studim themelor mbi trashëgiminë ndërtimore të Gjirokastrës, banesat karakteristike dhe vlerat e saj si qytet-muze; “Banesa shqiptare me qoshk” (2018) – monografi e botuar nga Akademia e Shkencave, që trajton tipologjinë e banesave popullore shqiptare me qoshk dhe vlerat e tyre arkitektonike.

Akad. Riza është autor i 18 monografive dhe i dhjetëra artikujve shkencorë.

Gjithashtu, ai ka qenë kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, duke nxitur botimin e studimeve mbi trashëgiminë kulturore. Ishte nismëtar i Ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe kryesues i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n, çka çoi në përfshirjen e këtyre qyteteve në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, akademik Emin Riza u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit.

Lini një koment