Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaBotaBANGLADESH – Presidenti jep dorëheqjen për arsye shëndetësore

BANGLADESH – Presidenti jep dorëheqjen për arsye shëndetësore

DAKA, 24 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti i Bangladeshit, Mohammed Shahabuddin dha sot dorëheqjen, pothuajse dy vjet para përfundimit të mandatit të tij, për shkak të problemeve shëndetësore.

Sekretari i tij për shtyp, Sarwar Alam, bëri të ditur se Shahabuddin ia paraqiti dorëheqjen kryetarit të Parlamentit, Hafiz Uddin Ahmad.

Ahmad do të ushtrojë detyrën e presidentit të përkohshëm deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nga Parlamenti brenda 90 ditëve.

“Për shkak të problemeve të ndryshme shëndetësore, ai është fizikisht dhe mendërisht i paaftë, për të kryer detyrat e një posti kushtetues kaq të rëndësishëm, si presidenca dhe për këtë arsye ka dhënë dorëheqjen”, deklaroi Ahmad.

Shahabuddin, 76 vjeç, u zgjodh president në prill të vitit 2023, në një kohë kur partia e ish-kryeministres Sheikh Hasina, Liga Awami, kishte shumicën në Parlament.

Roli i presidentit në Bangladesh është kryesisht ceremonial.

Ai bëri betimin përpara Sheikh Hasina, pas fitores së saj në zgjedhjet e diskutueshme të janarit 2024 dhe ishte një nga të paktët politikanë të nivelit të lartë, që mbeti në detyrë pas kryengritjes masive dhe të dhunshme, që rrëzoi qeverinë e Hasina në gusht të vitit 2024.

Dorëheqja e tij vjen disa javë pasi u raportua se Sheikh Hasina pritet të rikthehet në Bangladesh, në dhjetor të këtij viti nga India fqinje, ku jeton në mërgim që prej vitit 2024.

Në nëntor 2025, Hasina u dënua me vdekje në mungesë, nga një gjykatë speciale në Daka, për shtypjen e dhunshme të protestave të vitit 2024, të cilat, sipas vlerësimeve të OKB-së, shkaktuan rreth 1 400 viktima. /

Lini një koment