Sunday, 26 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaGJERMANI – Merz dënon sulmin në Paradën e Krenarisë në Berlin

GJERMANI – Merz dënon sulmin në Paradën e Krenarisë në Berlin

BERLIN, 26 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz, reagoi pas sulmit vdekjeprurës gjatë Paradës së Krenarisë ose Ditës së Christopher Street (CSD), në Berlin, duke e cilësuar ngjarjen si një “sulm ndaj shoqërisë”.

“Çfarë krimi i tmerrshëm në Berlin”, shkroi sot Merz në platformën X, vetëm pak orë pasi një automjet u përplas me turmën pranë aktivitetit në parkun Tiergarten, duke lënë një të vdekur dhe 16 të plagosur.

“Qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota festuan në mënyrë paqësore në Ditën e Christopher Street. Ata donin që ne ta trajtonim njëri-tjetrin me mirësi dhe tolerancë”, shkroi kancelari.

“Ne jemi një shoqëri e hapur dhe që e do lirinë – dhe këtë do ta ruajmë e do ta mbrojmë. Ky akt do të hetohet dhe autorët do të përballen me ndëshkimin më të ashpër”, shtoi ai.

Merz shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, uroi shërim të shpejtë për të plagosurit dhe falënderoi ekipet e emergjencës për reagimin e tyre.

Një zëdhënës i qeverisë bëri të ditur se kancelari është në kontakt të ngushtë me ministrin e Brendshëm, Alexander Dobrindt, dhe po informohet vazhdimisht nga autoritetet e sigurisë për zhvillimet.

“Ky sulm frikacak dhe i neveritshëm ndaj njerëzve që po festonin në mënyrë paqësore më ka tronditur thellësisht”, deklaroi Dobrindt.

“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe me të gjithë ata që u bënë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje”, shtoi ai. /

Lini një koment