Kujtohet Maximilian Lambertz, gjuhëtari që dokumentoi kulturën shqiptare
Akademia e Shkencave kujtoi sot në ditën e tij të lindjes, Maximilian Lambertz, një nga personalitetet më të shquara të albanologjisë, i cili ia kushtoi jetën studimeve të gjuhës, folklorit dhe kulturës shqiptare
Maximilian Lambertz lindi më 27 korrik 1882. Ai ishte gjuhëtar dhe folklorist austriak. Lambertz shfaqi interes për shqipen që në fillim të shekullit XX. Pas kontaktit të parë me këtë gjuhë në vitin 1906 në Atikë të Greqisë, ai e ktheu studimin e shqipes në mision jetësor. Puna e tij kërkimore nisi konkretisht më 1913–1914, gjatë një udhëtimi në fshatrat arbëreshe të Italisë, ku mblodhi një fond të pasur të dhënash dialektore dhe folklorike.
Studimi i tij i parë “Albanische Mundarten in Italien” ofroi një hartë të detajuar të ngulimeve arbëreshe dhe hapi një kapitull të ri në dialektologjinë shqiptare. Ai theksoi rëndësinë e studimit të këtyre të folmeve si dëshmi e shqipes mesjetare. Ky pasion për dialektet shqiptare u shtri në një mori punimesh shkencore, përfshirë edhe një monografi të gjerë mbi dialektet arbëreshe të Molizes.
Lambertz ishte pjesëmarrës aktiv në Komisinë Letrare Shqipe, ku dha kontribut në formësimin e gjuhës së përbashkët dhe drejtshkrimit të shqipes. Veprat e tij përfshijnë edhe studime të rëndësishme në fushën e sintaksës, si dhe një sërë botimesh për mësimin e gjuhës shqipe, përfshirë një kurs të plotë në tre vëllime dhe një antologji të letërsisë shqiptare me përkthim në gjermanisht.
Në fushën e folklorit shqiptar, ai la vepra monumentale si “Die Volkspoesie der Albaner” (1917), “Albanien erzählt” (1956) dhe “Die Volksepik der Albaner” (1958), duke përfshirë ciklin epik të kreshnikëve dhe mitologjinë shqiptare.
Për përkthimin e veprave madhore si “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës dhe drama “Toka jonë” e Kolë Jakovës, ai fitoi respekt të gjerë. Pas vdekjes së tij më 26 gusht 1963 në Leipzig, u botua edhe punimi “Mitologjia shqiptare” në veprën kolektive “Wörterbuch der Mythologie”.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në studimet albanologjike, Maximilian Lambertz u dekorua me “Urdhrin e Flamurit” nga shteti shqiptar.