Monday, 27 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaFOKUS – Macron thërret mbledhje emergjente, ndërsa zjarret kërcënojnë Francën jugperëndimore

FOKUS – Macron thërret mbledhje emergjente, ndërsa zjarret kërcënojnë Francën jugperëndimore

– Presidenti francez Emmanuel Macron do të zhvillojë sot një mbledhje emergjente të kabinetit qeveritar, ndërsa zjarret masive po afrohen drejt qytetit jugperëndimor të Bordosë, sipas BBC.

“Një valë e re e të nxehtit, pritet ta vështirësojë më tej përpjekjen për të vënë nën kontroll zjarrin, që po zgjerohet dhe që ndodhet rreth 15 kilometra larg Bordosë”, tha kryebashkiaku Thomas Cazenave.

Më herët, ai deklaroi se aktualisht nuk ka plane për evakuimin e popullsisë së zonës, që arrin rreth 850 mijë banorë.

Zjarre të mëdha kanë përfshirë Evropën gjatë javës së fundit, veçanërisht Francën dhe Spanjën, ku në të dyja vendet janë evakuuar më shumë se 330 mijë persona.

Macron deklaroi dje se Franca do të “rindërtohet” dhe se qeveria e tij do të jetë e pranishme për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

Dhjetëra mijëra persona janë evakuuar tashmë nga zonat përreth Bordosë.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez tha se situata mbetet shumë e pafavorshme dhe se zjarri po lëviz në mënyrë të paparashikueshme drejt qytetit.

Parashikimet e motit paralajmërojnë se temperaturat në disa zona të Francës mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, duke nisur nga e marta.

Zjarri kryesor në rajonin Gironde, ka shkaktuar një fenomen të rrallë të quajtur “pirokumulonimbus” – një stuhi gjigante e krijuar nga zjarri, e cila ushqehet nga erërat dhe rrufetë e veta, sipas Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve të Francës.

“Ne nuk e dimë se si do të përhapet zjarri. Fronti i tij ndryshon vazhdimisht. Nuk mund ta luftojmë drejtpërdrejt”, tha zëdhënësi Eric Brocardi.

Sipas tij, për të kontrolluar zjarrin do të nevojiteshin reshje të dendura për tre ditë rresht, ose zjarrfikësit do të duhej ta drejtonin zjarrin drejt një zone ku ai mund të shuhet vetë, si për shembull drejt detit.

Zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha në Francë. Rreth 42 mijë hektarë tokë janë djegur në jugperëndim të vendit, duke e bërë këtë një nga zjarret më të mëdha pyjore, që prej Luftës së Dytë Botërore. Që nga fillimi i vitit, rreth 98 mijë hektarë janë shkrumbuar.

Më shumë se 220 mijë persona janë evakuuar në jugperëndim të Francës.

Ndërkohë, në Spanjë, zjarrfikësit po përballen me një zjarr të ri pranë qytetit bregdetar lindor të Valencias, ku rreth 15 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. /

 

Lini një koment