Lëvizja #MeToo në Iran: Aktori Pejman Jamshidi shpallet i pafajshëm për përdhunim, por dënohet për marrëdhënie të paligjshme
TEHERAN, 27 korrik /ATSH-DPA/- Aktori i njohur iranian, Pejman Jamshidi është shpallur i pafajshëm për akuzën e përdhunimit, pas një debati mbarëkombëtar të lidhur me lëvizjen #MeToo, njoftoi sot ekipi i tij mbrojtës.
Megjithatë, gjykata e ka dënuar aktorin 48-vjeçar me 99 goditje me kamxhik, për shkak të një “marrëdhënieje të paligjshme”, raportoi agjencia iraniane e lajmeve “Fars”, duke cituar avokatët e tij.
Sipas raportit, vendimi mund të ankimohet në Gjykatën Supreme. Deri tani, gjyqësori iranian nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për çështjen.
Një aktore e re kishte paraqitur një ankesë anonime kundër Jamshidi në tetor.
Aktori i njohur, u arrestua për një periudhë të shkurtër dhe, pas lirimit me kusht, u largua përkohësisht nga vendi. Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat ndaj tij.
Çështja shkaktoi një debat të gjerë në Iran mbi dhunën dhe marrëdhëniet e pushtetit në industrinë e filmit.
Rasti është pjesë e një fenomeni global, që nisi me çështjen e producentit amerikan Harvey Weinstein në vitin 2017 dhe që më pas, sfidoi strukturat e pushtetit dhe heshtjes në shumë vende të botës.
Një lëvizje e kufizuar #MeToo ka filluar të shfaqet në Iran gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, diskutimi publik për dhunën seksuale, mbetet i shoqëruar nga mosbesimi, tabutë shoqërore dhe pengesat ligjore.
Marrëdhëniet jashtëmartesore janë të ndaluara sipas ligjit islam në Iran.
Në raste ekstreme, personat e dënuar për përdhunim, mund të përballen edhe me dënimin me vdekje. /