Monday, 27 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaJa çfarë përmban kredia 302 milionë USD nga SHBA për Shqipërinë, zbardhen detajet e marrëveshjes

Ja çfarë përmban kredia 302 milionë USD nga SHBA për Shqipërinë, zbardhen detajet e marrëveshjes

Foreign Military Financing (Financimi ushtarak i huaj) i njohur si FMF, është programi përmes të cilit Shqipëria do të marrë 302 milionë dollarët e parashikuar në marrëveshjen e miratuar sot. Ky program parashikohet nga Akti i Kontrollit të Eksportit të Armëve dhe u mundëson vendeve partnere të përshtatshme të blejnë artikuj, shërbime dhe trajnime të mbrojtjes së SHBA-së.

Është Sekretari i Shtetit ai që përcakton se cilat vende do të marrin FMF-në, së bashku me shumat përkatëse. Ndërsa, Sekretari i Mbrojtjes ekzekuton programet e Financimit përmes Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes, me seli në Pentagon, dhe lëshon grante dhe kredi për marrësit që plotësojnë kriteret në përputhje me Aktin.

Bisedimet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen e kredisë kanë nisur që në vitin 2024. Dhe e gjithë vlera e kredisë, do të përdoret për blerjen e prodhimeve amerikane. Shqipëria synon të marrë pajisje dhe sisteme luftarake, madje disa prej tyre edhe ofensive. Sipas marrëveshjes, dy vitet e para lihen si një dritare kohore për të negociuar llojet e pajisjeve dhe sasinë që synohet të blihet, pavarësisht se ky moment konsiderohet thuajse i ezauruar që gjatë bisedimeve paraprake.Kredisa do të lëvrohet pjesë pjesë, sipas kontratave të blerjeve, të cilat do të duhet të përmbyllen brenda 4 vitesh.

Vetë kredia ka një kohëzgjatje prej 12 vitesh me një interes që luhatet mes 4 dhe 5 përqind. Por nga ana tjetër ajo parashikon që të mund të shlyhet edhe përpara kohe, pa penalitete.

Ministri i mbrojtjes Ermal Nufi e konsideron marrëveshjen një ngjarje historike.

“Që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në në vitin 1990 dhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ky është akti më domethënës i mbështetjes ndaj Shqipërisë në terma konkretë dhe financiarë. Ajo nuk është thjesht një instrument financiar, por një investim strategjik”, deklaroi Nufi.

Lini një koment