“Irani kërkon të destabilizojë Shqipërinë”, Çupi: Rama reagoi në momentin e duhur
Analisti Frrok Çupi në një intervistë në “Edicioni Qendror” në ABC News analizoi deklaratë e kryeministrit Edi Rama për të cilën tha se vjen pikërisht në kohën e duhur.
Sipas Çupit, Irani synon të destabilizojë Shqipërinë përmes ndikimit dhe përhapjes së dezinformimit, me qëllim që të dëmtojë jo vetëm vendin, por edhe interesat e Perëndimit në rajon.
“Deklarata e Ramës vjen në kohën e duhur. Irani kërkon me çdo kusht dhe ka dërguar forca të veta deri në Bulevard, i ka mbledhur nga Kosova e Maqedonia. Dhe e ka bërë këtë se duke sulmuar Shqipërinë do ta destabilizojë, që të vendosë një gropë të madhe edhe për Perëndimin. Pra shkatërron shëndetin publik, prishet tërësisht raporti me ligjin, harmonia, po ashtu rrënohet harmonia fetare, e besimit te tjetri. Vota e individit bëhet zero”, tha Çupi.
Gjithashtu gjatë intervistës, analisti Çupi shtoi se: “Sulmi më i madh i dezinformimit mbi shtetin… e patë se si u mbrojt Tirana nga ndërhyrjet e huaja, kanë mbetur 100 veta atje…Ne kemi pësuar nga e pavërteta, e kemi pësuar vitet e fundit. Piramidat financiare ishin një mashtrim, u vranë njerëz, dhe do vriteshin edhe më shumë nëse nuk do kishim ndihmë nga bota perëndimore. E vetmja gjë është ligji, duhet forcuar ligji duhen bindur gjykatës e prokurorë se kemi një krim”, tha ai.
Çupi komentoi edhe miratimin e marrëveshjes për huan me SHBA prej 302 mln dollarë për Forcat e Armatosura.
“Një lajm shumë i madh dhe shërbeu si një provë se Shqipëria vërtet është e sulmuar. Shërbeu si lakmues edhe për forcat antiamerikane në Shqipëri. PD dhe Saliu nuk e duan Shqipërinë. Sali Berisha me PD është ushtri e Iranit”, tha ai.