Tuesday, 28 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaRaporti i DASH: Shqipëria e rrezikuar nga sulmet kibernetike të Iranit e Rusisë

Raporti i DASH: Shqipëria e rrezikuar nga sulmet kibernetike të Iranit e Rusisë

Shqipëria është dhe mbetet objektiv i sulmeve kibernetike nga shtete si Irani dhe Rusia.

Këtë e konfirmon SHBA në raportin më të fundit të Sigurisë për Shqipërinë nga Këshilli Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit për llogari të DASH, që e konsideron vendin tonë si një prej vendeve të rrezikuara seriozisht nga sulme kibernetike të shteteve si Irani dhe Rusia.

Në raport, përmenden sulmet e fundit të kryera nga Irani ndaj sistemeve shtetërore apo faqeve të internetit në Shqipëri.

“Shqipëria është një objektiv për sulme kibernetike keqdashëse nga aktorë shtetërorë, përfshirë Iranin dhe Rusinë. Shqipëria ka përjetuar gjithashtu sulme me programe “ransomware” nga grupe kriminale kibernetike. Në vitin 2026, Irani kreu sulme kibernetike kundër faqeve të internetit dhe sistemeve shtetërore të Shqipërisë. Aktiviteti kibernetik keqdashës nga një shtet që dëmton qëllimisht infrastrukturën kritike ose dëmton përdorimin dhe funksionimin e tij për të ofruar shërbime për publikun mund të ketë efekte të brendshme, rajonale dhe globale; përbën një rrezik të lartë dëmtimi për popullsinë; dhe mund të çojë në përshkallëzim dhe konflikt”, thuhet në raport.

Sa i përket nivelit të terrorizmit, raporti e vlerëson Tiranën kryesisht si një kërcënim në nivelin e mesëm, megjithëse pranohet se nuk ka patur asnjë sulm terrorist në Shqipëri gjatë dekadës së fundit.

Kërcënimi i fundit terrorist përmendet komplotin e regjimit të Iranit ndaj grupit të muxhahedinëve në Shqipëri në vitin 2018, sulm që u parandalua dhe autorët u arrestuan.

Ndërsa në nivel kriminaliteti, SHBA e konsideron Tiranën po me rrezik mesatar, por vlerëson Qeverinë shqiptare për përpjekje të përbashkët me SHBA për të luftuar krimin, përmirësuar aftësitë e zbatimit të ligjit në vend dhe për të zvogëluar korrupsionin.

Lini një koment