SPORT – Roberto Mancini rikthehet në krye të kombëtares së Italisë
ROMË, 28 korrik /ATSH-DPA/- Roberto Mancini pritet të rikthehet si trajner i kombëtares së Italisë, njoftoi sot presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malagò.
Malagò e bëri njoftimin gjatë një mbledhjeje të nivelit të lartë të Federatës Italiane të Futbollit, në Romë.
Mancini drejtoi Italinë nga viti 2018 deri në 2023 dhe e udhëhoqi kombëtaren drejt triumfit në Euro 2021.
Gjatë karrierës së tij si trajner, ai ka fituar edhe tre tituj të Serisë A me Interin, një titull të “Premier League” me Manchester City dhe kampionatin e Katarit me Al-Sadd.
Raportimet bëjnë të ditur gjithashtu se, ish-trajneri Claudio Ranieri do të emërohet drejtor teknik i Federatës Italiane të Futbollit.
Procesi për zgjedhjen e trajnerit të ri rezultoi i vështirë, pasi Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola refuzuan ofertën, ndërsa Andrea Pirlo u hoq nga lista e kandidatëve për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.
Sipas raportimeve, zhvillimet rreth kandidaturës së Pirlos çuan edhe në dorëheqjen e drejtorit teknik Paolo Maldini dhe këshilltarit Leonardo, vetëm dy javë pas emërimit të tyre.
Ndryshimet në drejtimin e futbollit italian, erdhën pasi Italia nuk arritit të kualifikohej në Kupën e Botës për herë të tretë radhazi, në muajin mars.
Pas këtij dështimi, dhanë dorëheqjen trajneri Gennaro Gattuso, presidenti i FIGC-së Gabriele Gravina dhe koordinatori i kombëtares, Gianluigi Buffon.
Giovanni Malagò, ish-president i Komitetit Olimpik Italian dhe drejtues i organizimit të Lojërave Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”, u zgjodh president i Federatës Italiane të Futbollit në muajin qershor. /