Destinacion kishte Izraelin, kërcënim me bombë në një anije turistike në portin grek! Autoritetet nisin hetimet
Një kërcënim me bombë ndaj një anijeje turistike me destinacion Izraelin shkaktoi një operacion sigurie në portin grek të Sirosit të martën, pasi një person i panjohur pretendoi se një pajisje shpërthyese ishte bashkangjitur në trupin e saj.
Anija me flamur të Panamasë “Crown Iris” duhej të lundronte për në Haifa duke transportuar 940 pasagjerë dhe 597 anëtarë të ekuipazhit kur u mor kërcënimi.
Personeli i rojes bregdetare, i ndihmuar nga një qen për zbulimin e eksplozivëve dhe një zhytës privat, kontrolloi anijen, ndërsa një njësi speciale e rojes bregdetare u dërgua në vendngjarje.
Kontrollet fillestare nuk gjetën asnjë pajisje shpërthyese. Specialistët e rojes bregdetare pritet të mbërrijnë për të kryer inspektime të mëtejshme përpara se anija të mund të rifillojë udhëtimin e saj.
Të paktën shtatë fluturime në Evropë morën kërcënime me bomba të martën, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit në aeroporte, megjithëse nuk u zbuluan pajisje të tilla.