Tuesday, 28 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaKOMENT – Hungaria krijon autoritetin kundër korrupsionit, ndërsa partia e Orbán e cilëson “polici politike”

KOMENT – Hungaria krijon autoritetin kundër korrupsionit, ndërsa partia e Orbán e cilëson “polici politike”

BUDAPEST, 28 korrik /ATSH-DPA/- Parlamenti hungarez ka votuar krijimin e një institucioni të ri, që do të ndihmojë autoritetet ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit.

Autoriteti i ri Kombëtar për Rikuperimin e Pasurive (NVVH) u miratua me 143 vota pro dhe 47 kundër. Kundër votuan deputetët e partisë “Fidesz” të ish-kryeministrit Viktor Orbán, i cili u largua nga pushteti pas zgjedhjeve të prillit.

“Fidesz natyrisht votoi kundër, sepse nuk duan të luftojnë korrupsionin”, deklaroi kryeministri i ri Péter Magyar në një video të publikuar në Facebook.

Sipas tij, krijimi i këtij institucioni është një “hap i madh” drejt përmbushjes së një prej angazhimeve më të rëndësishme të qeverisë së re.

Partia e Magyar, TISZA (Partia e Respektit dhe Lirisë), tha se detyra e autoritetit të ri është të rikuperojë sa më shumë pasuri të vjedhura dhe t’ua kthejë ato qytetarëve për të mirën e kombit.

Sipas TISZA, gjatë dy dekadave të fundit, mijëra miliarda para nga fondet shtetërore kanë përfunduar në duart private përmes korrupsionit dhe transaksioneve të paligjshme.

Por, Janos Boka, kreu i grupit parlamentar të “Fidesz” dhe Partisë Popullore Demokrate Kristiane (KDNP), e dënoi krijimin e autoritetit të ri, duke e cilësuar atë një “forcë policore politike” dhe duke e krahasuar me policinë sekrete të regjimit komunist, e cila u shpërbë në vitin 1989.

Sipas tij, institucioni i ri mund të përdoret për të monitoruar, ndjekur dhe shkatërruar këdo, ndërsa pasuritë e individëve dhe kompanive private mund të bëhen objekt i “hakmarrjes politike dhe frikësimit”.

Objektivi: Rikthimi i pasurive publike

Autoriteti Kombëtar për Rikuperimin e Pasurive do të ketë kompetenca hetimore të ngjashme me ato të një prokurorie.

Sipas qeverisë, institucioni do të ketë të drejtë të hyjë në ndërtesa, arkiva, magazina dhe ambiente serverash, të kontrollojë dokumente në pajisje të ndryshme ruajtjeje të të dhënave, të analizojë llogari bankare dhe instrumente të tjera financiare.

Ai mund të kërkojë gjithashtu, bashkëpunimin e policisë, prokurorisë, si dhe autoriteteve tatimore e doganore. Në disa raste, mund të vendosë edhe prona të paluajtshme nën administrim publik.

Qëllimet kryesore të autoritetit janë, mbrojtja e pasurisë publike; zbulimi i keqmenaxhimit ose keqpërdorimit të fondeve shtetërore si dhe rikthimi i pasurive të përvetësuara në mënyrë të paligjshme.

Parlamenti hungarez duhet ende të zgjedhë drejtuesin dhe zëvendësin e autoritetit, proces që duhet të përfundojë brenda 30 ditësh.

Dy javë më parë, parlamenti miratoi gjithashtu, një ndryshim kushtetues që përfshin krijimin e këtij institucioni.

Kritikët e Viktor Orbán e akuzojnë atë, se gjatë qeverisjes së tij pjesë të ekonomisë hungareze u kaluan në duart e oligarkëve të afërt me të dhe se fondet e Bashkimit Evropian dhe ato kombëtare u keqpërdorën.

Për shkak të dyshimeve për korrupsion, Bashkimi Evropian ka pezulluar një pjesë të fondeve të destinuara për Hungarinë. /

Lini një koment