114-vjetori i ngritjes së flamurit te Guri i Kamjes
Bashkia e Pogradecit përkujtoi sot 114-vjetorin e ngritjes së Flamurit shqiptar te Guri i Kamjes, ngjarje nga më domethënëset në historinë e krahinave të Gorës, Mokrës dhe Oparit.
Më 28 korrik 1912, nën udhëheqjen e kapedanit Kajo Babeni, së bashku me Shahin Matrakun dhe prijës të tjerë patriotë nga Mokra e Opari, qindra luftëtarë u bashkuan për çlirimin e zonës nga pushtimi xhonturk. Pas kësaj fitoreje, flamuri shqiptar u ngrit te Guri i Kamjes, duke u bërë simbol i lirisë, qëndresës dhe bashkimit të këtyre trevave.
“Kjo datë na kujton sakrificën dhe guximin e atyre që luftuan për lirinë e vendit, duke lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që pasuan”, u shpreh kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli, i pranishëm në aktivitet, së bashku me kryetarin e Këshillit të Qarkut Korçë, Petrika Tollkuçi.
Guri i Kamjes, i njohur sot si monument natyre dhe një nga atraksionet më të vizituara të zonës, mbetet një vend ku historia dhe natyra ndërthuren, duke dëshmuar vlerat e pasura historike, kulturore dhe turistike të kësaj treve.