Ora që u ndal në vitin 1944

Në Michigan jetojnë shqiptarë që kanë ardhur në Amerikë para dhjetë, njëzet, tridhjetë apo edhe pesëdhjetë vjetësh. Kanë ndërruar shtet, kontinent, shtëpi, makinë, punë, telefon, televizor dhe mënyrë jetese. Vetëm orën nuk e kanë ndërruar.
Ora e tyre ka mbetur ose në vitin 1944, ose në vitin 1989.
Nuk është fjala për ndonjë orë të vjetër muri të sjellë nga Shqipëria. Është ora e mendimit.
Për ta, bota shqiptare vazhdon të ndahet në dy kampe: partizanë dhe ballistë. Në versionin pak më modern, ndarja është komunistë dhe antikomunistë. Përtej këtyre dy kutive, universi politik bëhet i paqartë.
Nuk ka shumë vend për qytetarë që mendojnë ndryshe, për të majtë që nuk janë komunistë, për të djathtë që nuk e shohin historinë si luftë civile të përjetshme, për liberalë, konservatorë, socialdemokratë, njerëz pa parti apo për breza të rinj që kanë lindur shumë kohë pas rënies së komunizmit.
Çdo mendim politik kalon fillimisht në filtrin e biografisë.
Nuk ka aq rëndësi çfarë thua, sa nga vjen. Nuk peshohet argumenti, por prejardhja. Në vend të analizës së një ideje, fillon shpesh kërkimi në historinë familjare: kush ishte gjyshi, ku ishte në vitin 1943, çfarë bëri xhaxhai, kush pati partizan në fis, kush pati ballist, kush punoi në administratën e komunizmit dhe kush u internua prej saj.
Po të zgjatet pak biseda, rrezikon të arrijë deri te pema gjenealogjike.
Këtë botë e gjen ende në disa kafene shqiptare të Michiganit, përpara një gote rakie dhe nën tymin e cigareve, ku shekulli XXI mezi depërton.
Jashtë kalojnë makina elektrike.
Brenda vazhdon Lufta e Dytë Botërore.
Jashtë fëmijët dhe nipërit e tyre punojnë në spitale, banka, universitete, kompani teknologjie dhe institucione amerikane.
Brenda vazhdon gjyqi historik për Mukjen, Ballin, partizanët, Legalitetin, komunistët dhe antikomunistët.
Amerika dërgon anije kozmike dhe ndërton inteligjencë artificiale. Në disa tavolina shqiptare vazhdon ende mobilizimi i brigadave partizane dhe çetave të Ballit.
Historia përsëritet çdo ditë me të njëjtat prova, të njëjtët dëshmitarë dhe të njëjtin vendim.
Me gotën e parë të rakisë rivlerësohet viti 1944.
Me të dytën rishkruhet historia e Shqipërisë.
Me të tretën zbulohet se, po të kishte fituar pala tjetër, Shqipëria sot do të ishte Zvicër.
Pas gotës së katërt, zakonisht do të kishte qenë edhe më mirë se Zvicra.
Problemi nuk është se flitet për historinë.
Historia duhet studiuar, debatuar, rishikuar dhe, aty ku është falsifikuar, korrigjuar. Krimet e komunizmit nuk zhduken sepse kanë kaluar dekada. As debatet për Luftën e Dytë Botërore nuk mbyllen me dekret.
Problemi fillon kur historia nuk shërben më për të kuptuar të tashmen, por përdoret për të mos e parë atë.
Kanë kaluar mbi tetëdhjetë vjet nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe tridhjetë e pesë vjet që Shqipëria jeton në pluralizëm politik.
Një brez i tërë shqiptarësh ka lindur, është rritur, është shkolluar, është martuar dhe ka bërë fëmijë pa jetuar asnjë ditë në sistemin komunist.
Megjithatë, në disa tavolina të diasporës, Enver Hoxha vazhdon të jetë politikisht aktiv.
Madje tepër aktiv.
Edhe Balli Kombëtar vazhdon luftën. Edhe partizanët vazhdojnë luftën. Edhe Legaliteti vazhdon luftën.
Vetëm luftëtarët kanë ndryshuar.
Ironia është se të gjithë jetojnë në Shtetet e Bashkuara, në një shoqëri ku politika nuk ndahet thjesht në dy histori familjare. Amerikanët debatojnë për taksat, emigracionin, shëndetësinë, arsimin, ekonominë, abortin, armët, sigurinë, energjinë, teknologjinë dhe dhjetëra çështje të tjera.
Por sapo biseda kalon te Shqipëria, ky pluralizëm mendimi zhduket.
Mbeten përsëri vetëm dy kuti.
Komunist.
Antikomunist.
Në këtë sistem klasifikimi, edhe politika shqiptare e sotme analizohet me instrumentet e vitit 1944.
Nëse kritikon Edi Ramën, duhet patjetër të përcaktohet nga cili krah historik e bën kritikën.
Nëse kritikon Sali Berishën, kërkohet menjëherë prejardhja ideologjike.
Nëse kritikon të dy, sistemi pëson një defekt serioz.
Programi nuk e njeh këtë alternativë.
Është një lloj “Error 1944”.
Ndërkohë Shqipëria ka probleme shumë konkrete të vitit 2026.
Ka korrupsion.
Ka dobësi institucionesh.
Ka emigracion masiv.
Ka pabarazi.
Ka probleme në arsim dhe shëndetësi.
Ka fshatra që boshatisen.
Ka popullsi që plaket.
Ka mungesë konkurrence politike.
Ka pushtet të centralizuar.
Ka një sistem drejtësie që ende kërkon të fitojë besimin e qytetarëve.
Ka një brez të ri që nuk pyet se kush ishte ballist dhe kush partizan, por nëse do të ketë punë, banesë, shkollë të mirë dhe një të ardhme normale në vendin e vet.
Këto janë debatet e Shqipërisë së sotme.
Por në kafenenë shqiptare të Michiganit, aty ku ora ka ngecur, këto çështje mund të presin.
Sepse ende nuk është zgjidhur përfundimisht viti 1944.
Ndoshta javën tjetër do të zgjidhet.
Ose pas gotës tjetër.
Ndërkohë jeta ecën përpara.
Ecën në Amerikë.
Ecën edhe në Shqipëri.
Breza të rinj lindin, të vjetër ikin, teknologjia ndryshon, shoqëria ndryshon, partitë ndryshojnë emra, njerëzit ndryshojnë mendime dhe bota hyn çdo ditë në probleme të reja.
Vetëm disa shqiptarë vazhdojnë të jetojnë në një Shqipëri që nuk ekziston më.
Janë emigrantë që kanë kaluar Atlantikun, por nuk kanë kaluar dot vitin 1944.
Dhe ndoshta ky është emigrimi më i vështirë nga të gjithë: të largohesh jo nga një vend, por nga një kohë.