Kisha “Zoja Pajtore” fton shqiptarët në Festivalin Tradicional më 5, 6 dhe 7 shtator
Kisha Katolike Shqiptare “Zoja Pajtore” do të organizojë më 5, 6 dhe 7 shtator Festivalin e saj të Përvitshëm Tradicional, një nga aktivitetet që mbledh çdo vit komunitetin shqiptar rreth traditës, kulturës, muzikës dhe kuzhinës kombëtare.
Për tri ditë me radhë, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë folklor, muzikë, valle dhe ushqime tradicionale shqiptare, në një atmosferë festive dhe familjare.
Festivali do të jetë i hapur nga ora 5:00 PM deri në 10:00 PM, ndërsa programi artistik i hapjes do të zhvillohet të shtunën, më 5 shtator, duke filluar në orën 7:00 PM.
Programi nis me paradën e hapjes në orën 7:00 PM. Në orën 7:30 PM, Kristina Bzhetaj do të interpretojë Himnin Amerikan dhe Himnin Shqiptar. Më pas do të vijojë përshëndetja e Dom Dino Çekrezit dhe e Kryetarit të Këshillit.
Në skenë do të ngjiten gjatë mbrëmjes këngëtarë dhe grupe të ndryshme artistike të komunitetit. Ilsi Ademi do të interpretojë “Rrjedh me këngë e ligjërime”, ndërsa Grupi Illyrian do të paraqitet me valle me motive të Veriut, këngën “E Dua Shqipërinë”, valle nga Jugu dhe “Vallen e Kukësit”.
Pjesë e programit do të jenë gjithashtu Grupi Rozafati, Grupi i Valleve Vatra Windsor, Grupi Gjergj Kastrioti, si edhe këngëtarët Klevis Gilaj, Brikena Hoxhalli dhe Kristina Bzhetaj. Në program janë përfshirë edhe “Jehona e Bjeshkëve”, “Vallja e Pavarësisë” dhe interpretime të tjera nga tradita shqiptare.
Mbrëmja artistike do të mbyllet në orën 9:10 PM me “Vallen e Malësisë”, të interpretuar së bashku nga Grupi Gjergj Kastrioti dhe Grupi Illyrian.
Kisha Katolike “Zoja Pajtore” fton të gjithë shqiptarët, familjet dhe miqtë e komunitetit që të bëhen pjesë e festivalit dhe të kalojnë së bashku tri ditë kushtuar kulturës dhe traditave shqiptare.
Mirë se vini në Festivalin e Zojës Pajtore!


